Në vend vazhdojnë të jenë 13 raste të konfirmuara me ethet e Nilit Perëndimor. Ndërkohë, tre pacientë të tjerë ndodhen të shtruar në Klinikën Infektive dhe po u nënshtrohen analizave laboratorike, rezultatet përfundimtare të të cilave do të vërtetojnë ose përjashtojnë praninë e virusit.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur përmes një komunikate me shkrim se deri tani nuk është konfirmuar asnjë rast i ri dhe se situata epidemiologjike po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme. Pas përfundimit të analizave do të përcaktohet nëse tre rastet e dyshuara do të përfshihen në numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Duke qenë se virusi përhapet nga pickimet e mushkonjave, autoritetet shëndetësore u kërkojnë qytetarëve të vijojnë zbatimin e masave mbrojtëse. Mes rekomandimeve janë përdorimi i repelentëve, mbajtja e veshjeve me mëngë të gjata në orët e mbrëmjes dhe largimi i ujërave të ndenjura në afërsi të banesave.
Ministria nënvizoi se po bashkërendon veprimet me të gjitha institucionet kompetente, ndërsa publiku do të informohet pa vonesë për çdo zhvillim të ri.



