BallinaLAJMEIsh kryetari i FFM-së Muamed Sejdini do të mbrohet në liri, është...

Ish kryetari i FFM-së Muamed Sejdini do të mbrohet në liri, është pranuar garancia prej mbi 1 milionë euro

Gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup e ka pranuar garancinë e ofruar prej më shumë se 1,15 milionë euro për të dyshuarin Muamed Sejdini, ish-kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), pas së cilës i është hequr masa e paraburgimit dhe ai do të mbrohet në liri.

Nga Gjykata Themelore Penale Shkup informojnë se garancia përbëhet nga vendosja e hipotekës mbi pasuri të patundshme, ndërsa njëkohësisht, me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit gjatë vazhdimit të procedurës, atij i është caktuar masa e kujdesit me konfiskimin e dokumentit të udhëtimit.

Të dyshuarit, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike Shkup, më 24 prill 2026 i ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë që të ndikojë te dëshmitarët dhe të pengojë hetimin. Paraburgimi më vonë u zgjat me vendim të Këshillit Penal.

“Pas propozimit të paraqitur për heqjen e masës së paraburgimit me përcaktimin e garancisë dhe pas marrjes së mendimit pozitiv nga Prokurori Publik, gjyqtari i procedurës paraprake mori vendim me të cilin e pranoi propozimin dhe garancinë e ofruar, duke qenë se ndaj vendimit nuk u paraqit ankesë, ai u bë i plotfuqishëm, pas së cilës i dyshuari u lirua që të mbrohet në liri”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.

Sejdini dyshohet për veprën penale “Përvetësim në shërbim” nga neni 354 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Nga Prokuroria informuan se i dyshuari, në periudhën nëntor-dhjetor 2024, si person zyrtar, kryetar i FFM-së, ka përfituar përfitim të paligjshëm pasuror prej afërsisht 660 mijë euro për një person juridik nga Shkupi, gjegjësisht një shumë që tejkalon përfitimin e konsiderueshëm pasuror.

“Dyshimet tregojnë se vepra është kryer në mënyrë që FFM, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka marrë fonde të dedikuara në mënyrë strikte për rivitalizimin e fushave sportive dhe infrastrukturës. Me mbështetjen financiare nga UEFA në kuadër të programit “HatTrick VI”, i dyshuari ka filluar një procedurë për zbatimin e projektit – ndërtimi i një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër dhe ka paraqitur një propozim për fillimin e një procedure për zgjedhjen e një kompanie për realizimin e projektit. Pas miratimit nga Këshilli Drejtues, i dyshuari ka paraqitur një kërkesë deri te tre firma për oferta për ndërtimin e tribunës në stadium. Është zgjedhur oferta më e favorshme për ndërtim në një shumë të përgjithshme prej afërsisht 3.3 milionë euro pa TVSH. Edhe pse kontraktori nuk e ka kërkuar këtë, as nuk u përmend si mundësi në kërkesat për oferta, i dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Këshillit Drejtues, ka vendosur një kusht shtesë në marrëveshjen e lidhur me firmën e përzgjedhur, i cili përcaktonte një pagesë paraprake në shumën prej 20% të vlerës së përgjithshme të marrëveshjes para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga kontraktori. Në këtë rast, nuk ka parashikuar asnjë siguri ligjore për fondet e paguara si pagesë në emër të avancës”,  thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ai e ka nënshkruar marrëveshjen e tillë dhe më 17.12.2024, fondet në shumën prej afërsisht 660 mijë euro i janë besuar në shërbimin, me urdhër të tij drejtuar shërbimeve për pagesa avancë ia ka transferuar personit juridik.

Lajme te lidhura

spot_img