Safit Zeqiri
Për të gjitha vendet kandidate, që nga fillimi i këtij viti Brukseli dha sugjerime të rëndësishëme për qasje në Bashkimit Evropian. Në një Evropë të përballur me luftën në Ukrainë dhe sfida të reja të sigurisë, zgjerimi nuk konsiderohet më vetëm një proces teknik i përmbushjes së kritereve, por një domosdoshmëri strategjike dhe gjeopolitike. Parimet themelore nuk kanë ndryshuar, anëtarësimi kërkon reforma të qëndrueshme, sundim të ligjit dhe respektim të obligimeve të marra. Ky realitet i ri po krijon ritme të ndryshme integrimi në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria dhe Mali i Zi po avancojnë në negociatat e anëtarësimit, duke hapur dhe mbyllur kapituj negociues, ndërsa Serbia vazhdon të përballet me sfida që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, harmonizimin e politikës së jashtme me Bashkimin Evropian dhe përparimin në sundimin e ligjit. Në këtë panoramë, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet vendi që, edhe pse ka bërë reforma të rëndësishme, vazhdon të jetë e bllokuar nga mosmarrëveshjet politike. Vendi ka përmbushur nëntë nga dhjetë reformat e Planit për Rritje, por procesi mbetet i bllokuar për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese. Mesazhi i Brukselit është i qartë, pa përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë nuk mund të ketë përparim në negociata. Nga ana tjetër, qeveria kërkon garanci se vendi nuk do të përballet me kushte të reja dypalëshe në të ardhmen. Megjithatë, Bashkimi Evropian mbetet në qëndrimin se procesi i zgjerimit ndërtohet mbi përmbushjen e obligimeve dhe besueshmërinë e vendeve kandidate, e jo mbi garanci politike të paraprake. Pikërisht këtu ndodhet sfida më e madhe për Shkupin. Nga njëra anë nevojitet një konsensus i gjerë politik për ndryshimet kushtetuese, duke vendosur interesin strategjik të shtetit mbi përplasjet partiake. Nga ana tjetër, kërkohet ndërtimi i një dialogu më të qëndrueshëm me Sofjen, i cili mbron identitetin, gjuhën dhe dinjitetin kombëtar, por që njëkohësisht nuk e shndërron mosmarrëveshjen dypalëshe në një pengesë të përhershme për integrimin evropian. Evropa po ndryshon me shpejtësi dhe ritmi i zgjerimit nuk do të përshtatet me ritmin e krizave të brendshme politike në vendet kandidate. Nëse Maqedonia e Veriut nuk arrin të zhbllokojë procesin e negociatave, rrezikon të mbetet pas vendeve të tjera të rajonit dhe të humbasë momentin gjeopolitik që Bashkimi Evropian e konsideron historik. Sot, sfida nuk është më të dëshmohet orientimi proevropian me deklarata politike. Sfida është të merren vendime të vështira, të ndërtohet konsensus dhe të forcohet besueshmëria e shtetit përballë partnerëve evropianë. Historia e integrimit evropian ka treguar se mundësitë nuk mbeten të hapura përgjithmonë. Për Maqedoninë e Veriut, koha e pritjes dhe e justifikimeve po i lë vendin kohës së përgjegjësisë. Vendimet që do të merren sot do të përcaktojnë nëse vendi do të ecë drejt anëtarësimit ose do të vazhdojë të mbetet në paradhomën e Bashkimit Evropian.



