BallinaLAJMEToshkovski dhe Lamallari nënshkruan marrëveshje për vendosjen e vendkalimeve dhe kontrolleve të...

Toshkovski dhe Lamallari nënshkruan marrëveshje për vendosjen e vendkalimeve dhe kontrolleve të përbashkëta kufitare midis Maqedonisë dhe Shqipërisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, Besfort Lamallari në Peshkopi të Shqipërisë, nënshkruan Marrëveshje për vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe zbatimin e kontrolleve të përbashkëta kufitare ndërmjet dy shteteve.

“Me këtë marrëveshje, krijohet një kornizë bashkëkohore dhe funksionale për menaxhimin më efikas të kufirit të përbashkët me qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, rritjen e sigurisë dhe uljen e kohës së pritjes në pikat kufitare”, informojnë nga MPB.

Marrëveshja parashikon bashkëpunim institucional të formalizuar, zbatim në faza përmes protokolleve të përshtatura për secilin lokacion, si dhe mekanizma të përforcuar për koordinim dhe shkëmbim të informacioneve ndërmjet shërbimeve kompetente.

Ministri Toshkovski theksoi se marrëveshja paraqet një hap të rëndësishëm drejt një menaxhimi më efikas, më të sigurt dhe më të parashikueshëm të kufirit, me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, ekonominë dhe institucionet.

Ai theksoi se procedurat e përbashkëta kufitare jo vetëm që lehtësojnë qarkullimin, por edhe forcojnë aftësinë e të dy shteteve për t’u përballur me kriminalitetin ndërkufitar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe me rreziqet të tjera të sigurisë, përmes veprimit të koordinuar dhe shkëmbimit të informacioneve.

U theksua veçanërisht se zbatimi do të zhvillohet gradualisht dhe në mënyrë të kontrolluar, me qëllim që çdo pikë e përbashkët kufitare të jetë plotësisht e përgatitur nga aspekti operacional dhe juridik përpara se të vihet në funksion.

Ministri Toshkovski shprehu mirënjohje për ekipet e ekspertëve, këshilltarët juridikë, zyrtarët policorë dhe të gjitha institucionet e të dy vendeve që morën pjesë në përgatitjen e marrëveshjes, duke theksuar se puna e tyre ishte vendimtare për arritjen e këtij rezultati.

Nënshkrimi i marrëveshjes në pikën kufitare Bllatë përfaqëson një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin dypalësh ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe konfirmon përkushtimin e përbashkët për një menaxhim modern, efikas dhe të sigurt të kufijve.

Me këtë përmbyllet procesi i vendosjes së këtij sistemi me tri shtetet fqinje të Republikës së Maqedonisë që nuk janë pjesë e Zonës shengen, duke pasur parasysh se ai tashmë funksionon me sukses me Serbinë dhe Kosovën.

Lajme te lidhura

spot_img