Kepi i Gjelbër dëshmoi se mrekullitë në sport ndodhin. Kjo përfaqësuese, e cila për herë të parë merr pjesë në Kupën e Botës, arriti të kualifikohet në fazën me eliminim direkt.
Shteti i vogël afrikan në xhiron e tretë luajti pa gola kundër Arabisë Saudite, ndërsa në fund ky rezultat ishte i mjaftueshëm për ta siguruar vendin e dytë në grup dhe për ta kaluar fazën grupore. Në këtë grup, mëngjesin e sotëm u zhvillua edhe ndeshja mes Spanjës dhe Uruguait, ku në fund përfaqësuesja evropiane fitoi me rezultat 1:0.
Pas kompletimit të ndeshjeve, renditja përfundimtare në këtë grup është: Spanja me 7 pikë, Kepi i Gjelbër me 3, Uruguai me 2 dhe Arabia Saudite me 2 pikë.
Të paktë ishin ata që besonin se debutuesi Kepi i Gjelbër do të arrinte ta kalonte fazën grupore në një grup me përfaqësuese si Spanja dhe Uruguai, ish-kampione të botës, si dhe Arabia Saudite, vend që vitet e fundit ka investuar shumë në futboll. Megjithatë, në fund mrekullia ndodhi.
Kepi i Gjelbër në xhiron e parë luajti 0:0 kundër Spanjës, rezultat që paralajmëroi se mund të ndodhte një befasi e madhe. Më pas barazoi 2:2 me Uruguain, ndërsa tani në fund barazoi edhe me Arabinë Saudite, rezultat që ishte plotësisht i mjaftueshëm për të vazhduar më tej.
Në favor të debutuesit shkoi edhe fitorja e Spanjës ndaj Uruguait me rezultat 1:0. “Furia e Kuqe” triumfoi falë golit të Baenës në minutën e 42-të.



