BallinaLAJMEMaqedoni31 amandamente për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

31 amandamente për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Nesër në Kuvend vazhdon debati mbi ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ku është caktuar seancë e komisionit për sistem politik. Partitë politike opozitare kanë dorëzuar gjithsej 31 amandamente, mes tyre Fronti Evropian, LSDM dhe Lidhja Shqiptare. Amandamentet kanë të bëjnë me atë që paraprakisht është theksuar në seancë plenare, mungesa e sanksioneve dhe mungesa e kuotave etnike gjatë aplikimit për punë.

Kreu i Kuvendit Afrim Gashi në brifing me gazetarët njoftoi se pasi që ligji të kalojë në komision, do të vendoset në votim kur të gjendet hapësirë mes seancave plenare të radhës.

“Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat do të vendoset për votim këto ditë kur të ketë hapësirë mes seancave. Për momentin nuk është caktuar një datë”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Ky ligj si pikë në rend dite është pjesë e seancës së 104 ndërsa debati në lexim të parë ka përfunduar. Paraprakisht, në komision u mbajt edhe debat publik ku morën pjesë përpilues të ligjit, ekspertë të jashtëm dhe profesorë universitar. Disa nga vërejtjet ishin që mungon përkatësia etnike, mungojnë sanksionet, u propozua zgjerimi i trupit mbikëqyrës me përfaqësues nga administrata si dhe për kandidatët që do të manipulojnë me përkatësinë etnike, të vendoset ndalesë për aplikim për punë në afat prej gjashtë muaj. Aktualisht në propozim ligj parashihet që e njëjta të jetë tre muaj.

Kryeministri Hristijan Mickoski së fundmi në intervistë për Alsat, njoftoi se sanksionet për mos zbatimin e ligjit dhe kuotat e përfaqësimit nuk do të përfshihen drejt për drejtë në ligj, por do të rregullohen me akte nënligjore dhe metodologji që do të hartohen pas miratimit të ligjit.

Komiteti për marrëdhënie mes bashkësive javë më parë vendosi që ligji të miratohet me badenter të vogël, përkatësisht me shumicë të deputetëve që përbëjnë badenterin të cilët do të jenë prezent në sallë momentin e votimit.

Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dorëzuan edhe nga Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës por e njëjta pas një debati të gjerë në komision, nuk u pranua nga shumica parlamentare.

Lajme te lidhura

spot_img