Bisedimet për rikonstruimin e kabinetit qeveritar po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Pas takimeve të djeshme të kryeministrit Hristijan Mickoski me krerët e VLEN, ai sot të takohet me partnerin e koalicionit, lëvizjen ZNAM.
Ministri i Administratës Publike nga radhët e ZNAM-it, Goran Minçev, në një intervistë për Kanal 5 zbuloi se partia e tij tashmë ka bërë një vlerësim të detajuar të punës dyvjeçare të të gjithë funksionarëve të saj dhe se qëndrimi zyrtar është se kuadrot e tyre po e kryejnë punën në mënyrë të shkëlqyer.
Nga ana tjetër, Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë përvjetorit të partisë së tij para fillimit të bisedimeve, dërgoi një mesazh të prerë duke thënë se për disa funksionarë “më i rëndësishëm është kolltuku sesa populli”.
Mickoski theksoi se po i ndjek me kujdes zhvillimet nëpër institucione dhe u shpreh i pakënaqur me sjelljen e disa zyrtarëve, të cilët sipas tij po largohen nga parimet mbi të cilat u formua Qeveria.
Nga Qeveria bëjnë të ditur se bisedimet janë ende në një fazë të hershme dhe se bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm, andaj detajet konkrete do të ndahen me opinionin publik posa të ketë diçka zyrtare.(INA)



