Pas gati një dekade nga themelimi i tij, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Statutit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Vendimi u miratua në seancën e 105-të parlamentare me 59 vota “për” dhe asnjë votë kundër.
Megjithatë, vëmendje të veçantë tërhoqi fakti se deputetët e BDI-së nuk e mbështetën këtë vendim, pavarësisht se bëhet fjalë për një institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
Ndryshimet e miratuara forcojnë strukturën statutare të universitetit, zyrtarizojnë Fakultetin Juridik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave Humane, mundësojnë lëshimin e diplomave dhe shtojcave të diplomës në gjuhën maqedonase, shqipe dhe angleze, si dhe harmonizojnë funksionimin e universitetit me legjislacionin në fuqi.
Nga ana tjetër qeveria aktuale vlerësoi se ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin institucional të Universitetit “Nënë Tereza” dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e arsimit të lartë dhe mundësive të reja për studentët.



