Me riorganizimin e institucioneve kulturore, asnjë i punësuar nuk do të mbetet pa vend pune, por të gjithë do të kenë mundësi të kontribuojnë në funksionimin e institucioneve amë. Deklaroi sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, duke shpjeguar një segment të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Kulturës për periudhën 2026–2030, i cili ka të bëjë me autonominë në kulturë dhe riformësimin e parashikuar të rrjetit të institucioneve. Sipas Lutkov, ka manifestime, që funksionojnë vetëm tre ditë në vit, ndërsa në planin e punësimit, sipas sistematizimit, për to janë paraparë nga 25 deri në 30 vende pune. E rëndësishme është, theksoi ai, që ato të mos shuhen, por të vazhdojnë të funksionojnë në kuadër të institucioneve të tjera, si departamente ose sektorë.
“Nuk do të ketë shuarje të institucioneve kulturore, por riorganizim modern të tyre. Optimizimi i institucioneve nënkupton bashkimin e disa institucioneve që nuk kanë kapacitet të vazhdojnë të funksionojnë, me një institucion tjetër që ka nevojë për atë lloj shërbimi. Punonjësit kryesorë të veprimtarive nuk do të pushohen nga puna; përkundrazi, do të rritet numri i të punësuarve, veçanërisht fokusi do të jetë te kuadrot profesionalë dhe jo te stafi administrativ. Askush nuk do të humbasë vendin e punës. Thjesht, një institucion do të bashkohet me tjetrin dhe me forca të përbashkëta do të funksionojnë shumë më mirë, ndërsa fokusi ynë do të jetë kuadri profesional në kulturë,” tha Zoran Lutkov – Ministër i Kulturës dhe Turizmit./Alsat.mk



