Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Fatmir Limani, realizoi sot një vizitë pune në Komunën e Dibrës, ku u takua me kryetarin e komunës, Fisnik Mela.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan për çështje të rëndësishme nga fusha e mbrojtjes sociale dhe asaj të fëmijëve, me fokus të veçantë në nevojën për forcimin e mbështetjes ndaj të rinjve në këtë komunë. U theksua rëndësia e avancimit të shërbimeve lokale dhe gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta që adresojnë nevojat reale të qytetarëve, veçanërisht të kategorive të ndjeshme dhe popullatës së re.
Ministri Limani vlerësoi se përmes një partneriteti të ngushtë dhe veprimit të koordinuar me pushtetin lokal, mund të ndërtohen politika më cilësore dhe të arrihen rezultate konkrete në terren.
Ai theksoi se institucionet do të vazhdojnë të punojnë me përkushtim për të forcuar mbrojtjen sociale, për të përmirësuar kujdesin ndaj fëmijëve dhe për të krijuar më shumë mundësi për të rinjtë.



