BallinaLAJME30 ditë paraburgim për ish-kryetarin e FFM-së

30 ditë paraburgim për ish-kryetarin e FFM-së

Gjykata Themelore Penale e Shkupit, duke vepruar sipas propozimit të prokurorisë kompetente, ka marrë vendim me të cilin i ka caktuar ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdinit, paraburgim prej 30 ditësh. Masa e paraburgimit, siç informojnë nga Gjykata Themelore Penale, është përcaktuar për shkak të dyshimit të bazuar se personi ka kryer vepër penale të përvetësimit në shërbim. Njëkohësisht, gjykata vlerësoi se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për ikje, si dhe mundësi ndikimi te dëshmitarët dhe dëshmitë gjatë procedurës.

Sejdini, i cili drejtoi FFM-në për dy mandate, nga viti 2019 deri në vitin 2025, u arrestua dje nga nëpunës policorë të Departamentit për Shkatërrimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Departamentit të Policisë Kriminale në koordinim me PTHP të Shkupit.

Nga Prokuroria informuan se i dyshuari, në periudhën nëntor-dhjetor 2024, si person zyrtar, kryetar i FFM-së, ka përfituar përfitim të paligjshëm pasuror prej afërsisht 660 mijë euro për një person juridik nga Shkupi, gjegjësisht një shumë që tejkalon përfitimin e konsiderueshëm pasuror.

“Dyshimet tregojnë se vepra është kryer në mënyrë që FFM, si anëtare e UEFA-s, gjatë vitit 2024 ka marrë fonde të dedikuara në mënyrë strikte për rivitalizimin e fushave sportive dhe infrastrukturës. Me mbështetjen financiare nga UEFA në kuadër të programit ‘HatTrick VI”, i dyshuari ka filluar një procedurë për zbatimin e projektit – ndërtimi i një tribune në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër dhe ka paraqitur një propozim për fillimin e një procedure për zgjedhjen e një kompanie për realizimin e projektit. Pas miratimit nga Këshilli Drejtues, i dyshuari ka paraqitur një kërkesë deri te tre firma për oferta për ndërtimin e tribunës në stadium. Është zgjedhur oferta më e favorshme për ndërtim në një shumë të përgjithshme prej afërsisht 3.3 milionë euro pa TVSH. Edhe pse kontraktori nuk e ka kërkuar këtë, as nuk u përmend si mundësi në kërkesat për oferta, i dyshuari, në kundërshtim me vendimin e Këshillit Drejtues, ka vendosur një kusht shtesë në marrëveshjen e lidhur me firmën e përzgjedhur, i cili përcaktonte një pagesë paraprake në shumën prej 20% të vlerës së përgjithshme të marrëveshjes para fillimit të punimeve ndërtimore dhe pa asnjë veprim paraprak nga kontraktori. Në këtë rast, nuk ka parashikuar asnjë siguri ligjore për fondet e paguara si pagesë në emër të avancës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ai e ka nënshkruar marrëveshjen e tillë dhe më 17.12.2024, fondet në shumën prej afërsisht 660 mijë euro i janë besuar në shërbimin, me urdhër të tij drejtuar shërbimeve për pagesa avancë ia ka transferuar personit juridik.

Lajme te lidhura

spot_img