BallinaLAJMENë Shkup mbahet Konferenca e XX-të e kryetarëve/spikerëve të Iniciativës Adriatiko-Joniane (IAJ)

Në Shkup mbahet Konferenca e XX-të e kryetarëve/spikerëve të Iniciativës Adriatiko-Joniane (IAJ)

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi do të jetë sot nikoqir i Konferencës së XX-të të kryetarëve/spikerëve të Iniciativës Adriatiko-Joniane (IAJ), e cila mbahet në kuadër të kryesimit të shtetit tonë me këtë Iniciativë.

Në takim është paralajmëruar prania e kryetarëve, nënkryetarëve dhe deputetë të parlamenteve të shteteve anëtare të IAJ-së – Republika e Maqedonisë së Veriut, Republika e Shqipërisë, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Republika Greke, Mali i Zi, Republika Italiane, San Marino, Republika e Serbisë dhe Republika e Sllovenisë, si dhe përfaqësues nga Sekretariati i IAJ-së.

Pjesëmarrësit e Konferencës do të përqendrohen në dy tema kryesore të cilave do t’u kushtohen dy sesionet: “Promovimi i Paqes dhe Stabilitetit përmes Diplomacisë Parlamentare” dhe “Forcimi i Lidhshmërisë Rajonale: Korridoret VIII dhe X dhe Roli i Parlamenteve”.

Në Konferencë, përveç kryetarit Gashi, fjalime do të kenë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova; zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikollovski; zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski; Rizvan Sulejmani, profesor ordinar, ish-ministër dhe ish-deputet, Dragana Bojkovska, deputete, kryetare e Klubit të Çështjeve dhe Politikave Rinore të Kuvendit, Abdulmenaf Bexheti, akademik, ish-ministër dhe ish-deputet, dhe Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.

Konferenca pritet të përfundojë me miratimin e një Deklarate të Përbashkët që përcakton prioritetet e vendeve anëtare të IAJ-së, e cila do të jetë e disponueshme në faqen e internetit të Kuvendit.

Iniciativa Adriatiko-Joniane (IAJ), e cila u themelua në Samitin për Zhvillimin dhe Sigurinë e Deteve Adriatik dhe Jon, Ankona (Itali) më 19 dhe 20 maj të vitit 2000 dhe qëllimi i së cilës është forcimi i bashkëpunimit rajonal, promovimi i stabilitetit politik dhe ekonomik, si një bazë e fortë për procesin e integrimit evropian, përbëhet nga katër vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe gjashtë vende të cilat nuk janë anëtare të BE-së.

Lajme te lidhura

spot_img