BallinaLAJMEParlamenti i Shqipërisë miratoi rezolutë me të cilën Irani shpallet sponsor i...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi rezolutë me të cilën Irani shpallet sponsor i terrorizmit

Parlamenti i Shqipërisë, me 79 vota “për” nga shumica në pushtet dhe një të përmbajtur, në mbledhje plenare e miratoi Rezolutën me të cilën Irani shpallet “sponsor i terrorizmit” me çka, siç vlerësohet, vendi harmonizohet me aleatët strategjikë.

Dokumenti, siç deklaroi më parë kryeministri Edi Rama, parasheh se pas miratimit në Parlament, Qeveria shqiptare do të ndërmarrë hapa urgjentë që t’i shpallë Gardën Revolucionare Iraniane (IRGC) dhe lëvizjen Hezbollah organizata terroriste.

Koordinatori i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e prezantoi draft-rezolutën e propozuar nga socialistët, ndërsa e komentoi edhe bojkotin e mbledhjes nga ana e opozitës, duke thënë se i vjen keq për këtë.

“Vendi ynë vetë ishte vendi i sulmeve të drejtpërdrejta. Ato synonin të paralizonin shërbimet tona publike dhe të minonin besimin e qytetarëve tek shteti. Nuk duhet ta humbasim vigjilencën. Disa ditë më parë, parlamenti ishte objektiv i ri i një sulmi kibernetik. Këto janë akte armiqësore që synojnë prishjen e funksionimit normal. Me rezolutën, ne synojmë të dënojmë qartë çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin. Të dënojmë përdorimin e mjeteve hibride kundër institucioneve të shteteve sovrane. Është për të ardhur keq që tre grupet parlamentare të opozitës mungonin, ata nuk erdhën për të mbështetur këtë rezolutë, e cila është urgjente dhe e nevojshme”, tha Balla, ndër të tjera.

Në mbledhje nga opozita mori pjesë vetëm deputeti Erald Kapri nga partia “Mundësi” i cili ashpër e kritikonte qeverinë për vendimet e saj dhe për miratimin e rezolutave të cilat, sipas tij, kanë për qëllim “të shpëtohet e ardhmja politike e Edi Ramës”.

Ai i theksoi, siç tha, kundërthëniet në politikën e jashtme dhe situatën vendore, duke e përmendur “ grabitjen e pronave të qytetarëve, rritjen e biznesit kinez në Shqipëri dhe dhunën ndaj qytetarëve”, duke theksuar se Shqipëria distancohet nga standardet e një vendi perëndimor.

Lajme te lidhura

spot_img