Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë kanë përfunduar dëshmitë e prokurorisë.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë këtij muaji janë dëgjuar tre dëshmitarë.
I pari i cili në gjykatore foli nën masa mbrojtëse, është pjesë e stafit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Po ashtu, edhe Christopher Kelly, i cili ka qenë dëshmitari i tretë dhe i fundit i ftuar për dëshmi, punon me kohë të pjesshme për prokurorinë për të bërë hetime forenzike digjitale. Ndërkaq, holandezi Koel Herlaar, i cili më shumë u dëgjua në seancë private është ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës.
Artan Çerkini, i cili ka qenë avokat i Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut, ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e këtyre ekspertëve të ftuar për dëshmi nga ZPS.
“Dëshmitar ekspert nuk mund të jetë punonjësi i ZPS-së, ngase për të shërbyer si ekspert në një procedurë gjyqësore, eksperti duhet të jetë i pavarur nga palët. Një punonjës i ZPS-së nuk mund të jetë i pavarur. Prandaj nuk e plotëson kushtin bazik për të shërbyer si ekspert në procedurë penale… Trupi gjykues kur ta vlerëson tash dëshminë e ekspertëve të cilët janë punonjës të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, natyrisht se dëshmive të tyre nuk duhet t’iu falë besimin, ngase është një lloj konflikti i interesit”, deklaron Çerkini.
Në anën tjetër, avokati Ardian Bajraktari thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për të argumentuar pretendimet e ZPS-së për këtë vepër penale.
“Dëshmitë e tyre kanë qenë jo bindëse dhe jo mjaftueshëm të argumentuara në funksion të elementeve esenciale që e përbëjnë figurën e veprës penale, sepse vepra penale e pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, sipas nenit 401 të Kodit Penal, elementet esenciale të kësaj vepre janë ushtrimi i dhunës ose i kanosjes serioze. E natyrisht, përveç faktit që një person i cili ndodhet në masën e paraburgimit qe pesë vite e më tepër nuk ka mundësi me i kry këto, për më tepër, as dëshmitarët në asnjë variant nuk kanë arritur me i argumentu ekzistimin e këtyre, e këtyre pretendimeve. Për më tepër, refuzimi për të pranuar dëshmitarë të tjerë të cilët do të mund të bënin ndërlidhjen e elementeve esenciale, siç është çështja e shkakut dhe pasojës, e dëshmon edhe njëherë faktin që prokuroria nuk ka qenë e as nuk është e interesuar që edhe për këtë çështje të vendosë drejtësi”, shprehet ai.
Ekipet mbrojtëse kanë deklaruar se do të paraqesin provat e tyre, të cilët kanë kohë të dorëzojnë parashtrimet e tyre deri më 23 mars.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar dje se konferenca përgatitore e mbrojtjes do të mbahet më 30 marsit, ndërsa deklaratat hyrëse të mbrojtjes do të bëhen më 7 prill, e më pas do të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes deri më 24 prill 2026.



