BallinaLAJMEKosovëOsmani e shpërndau parlamentin e Kosovës dhe paralajmëroi zgjedhje të jashtëzakonshme

Osmani e shpërndau parlamentin e Kosovës dhe paralajmëroi zgjedhje të jashtëzakonshme

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot nënshkroi dekretin për shpërndarjen e parlamentit dhe paralajmëroi se do të shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Osmani deklaroi se pasi mbrëmë deputetët nuk arritën të zgjidhnin presidentin e shtetit, kjo gjë e shtyu Kosovën në zgjedhje të reja.

“Kjo situatë mund të shmangej në tërësi. Është fatkeqësi e madhe që deputetët nuk e zgjodhën interesin e popullit”, theksoi Osmani.

Ajo paralajmëroi se gjatë ditës do të mbajë konsultime me liderët e partive parlamentare për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në mbledhjen e mbrëmshme të jashtëzakonshme, të mbajtur vetëm disa orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, parlamenti e ndërpreu procesin e zgjedhjes, për shkak të mospasjes së kuorumit.

Për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy rrethet e votimit, ndërsa të paktën 61 në rrethin e tretë. Mbrëmë në sallë të pranishëm ishin 66 deputetë nga koalicioni qeveritar, përderisa deputetët e opozitës nuk ishin prezent.

Paraprakisht, u mbajt mbledhje për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat presidentja Osmani i parashtroi për votim të drejtpërdrejtë për president, e cila gjithashtu ishte ndërprerë për shkak të mospasjes së kuorumit.

Pas mbylljes së mbledhjes së dytë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për sjelljen e masës së përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Lajme te lidhura

spot_img