Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot u miratua propozim ligji për ndryshimin e Ligjit për ndërtimet pa leje, me ç’rast afati i legalizimeve të ndërtimeve pa leje është shtyer edhe për 5 vjet tjera.
Sipas ligjit të deritanishëm, afati i legalizimeve të ndërtimeve pa leje duhej të përfundonte më 3 mars të 2026, kurse tani, afati është shtyer për pesë vjet të tjera, konkretisht deri më 3 mars 2031.
Zgjatja e afatit nuk krijon mundësi për paraqitjen e kërkesave të reja, por ka për qëllim ekskluzivisht përfundimin e rasteve tashmë të iniciuara në përputhje me ligjin.
Zgjatja e afatit është e domosdoshme për shkak të numrit të madh të kërkesave të paraqitura në komuna dhe pamundësisë që të gjitha procedurat administrative të përfundojnë brenda afatit aktual. Qëllimi është që komunat, si organe kompetente, të kenë mundësi t’i përmbyllin procedurat në zhvillim dhe të miratojnë akte administrative të plotfuqishme, duke garantuar siguri juridike për qytetarët. Parashihet që propozim ndryshimi i ligjit të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, duke pasur parasysh se periudha aktuale e vlefshmërisë përfundon më 3 mars 2026, me qëllim shmangien e çdo vakumi juridik.(INA)



