Kryetari i Tetovës dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami në intervistën dhënë për “Click plus” ka thënë se është momenti që VLEN të shkojë drejt integrimit në një organizatë politike.
Dhe atëherë si VLEN, shton ai, “do të vlerësojmë pozitën e çdo përfaqësuesi tonë në qeveri se si do vazhdojmë të ardhmen”.
Në zgjedhjet e radhës duhet të hyjmë me një koncept të ri
“Në zgjedhjet e radhës do të duhet të futemi me një koncept të ri, a do të pajtohemi që të jetë ky koncept, apo ta ndryshojmë është çështje që do ta vlerësojmë momentumin politik të zgjedhjeve që do të vijnë. Atëherë do të vlerësojmë se a do ishte më mirë të vazhdojmë me këtë partneritet, apo të ofrojmë ndonjë format tjetër se si do të shkojë VLEN-i në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë mes tjerash numri një i Tetovës, Bilall Kasami.
Lidhur me zgjedhjen e liderit të VLEN-it, ai thotë se do ta kishte përkrahur opsionin që do ishte i pranueshëm nga të gjithë, qoftë ai me rotacion apo bashkëkryetarë.
“Por nëse nuk do kemi ndonjë dakordësi të tillë nga të gjithë, për mua do ishte i pranueshëm ai opsion që nënkupton integrim më të lartë të VLEN-it dhe këtu është opsioni me dy kryetarë apo bashkëkryetarë”, ka thënë Kasami.



