Qeveria dhe opozita u sollën si dy kampe që luftojnë për narrativën, jo për qytetarin, e në këtë betejë fjalësh, humbësi i përhershëm ngel publiku. Zgjedhjet lokale të vitit 2025 u paraqitën si mundësi për një “fillim të ri” në nivel komunal, por fushata u dominua më shumë nga retorika boshe sesa nga programe reale zhvillimore. Premtime për rrugë moderne, ajër të pastër, shërbime publike efikase dhe transparencë u shpërndanë me lehtësi, ndërsa qytetarët votuan me shpresën se pushteti lokal do të jetë më afër halleve të tyre. Sot, pritja për realizimin e këtyre premtimeve po kthehet në durim të sprovuar, sepse shumë nga zotimet rrezikojnë të mbeten slogane elektorale, të harruara sapo u mbyllën kutitë e votimit. Ekonomia nuk ofroi arsye për optimizëm, inflacioni i heshtur vazhdoi të gërryejë standardin jetësor, pagat mbetën prapa realitetit të çmimeve, ndërsa të rinjtë e panë emigrimin jo si zgjedhje, por si domosdoshmëri.
Buxheti i vitit 2025, i prezantuar me gjuhë teknike dhe shifra të bukura në letër, në praktikë u perceptua si buxhet mbijetese, jo zhvillimi. Investimet strategjike munguan, ndërsa politikat sociale shpesh u reduktuan në masa kozmetike. Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut ishte ndoshta pasqyra më e ftohtë e këtij viti me gjuhë diplomatike, por mesazhe të qarta e reforma të ngadalta, sundim i ligjit i brishtë, administratë e politizuar dhe progres i kufizuar. Evropa nuk na mbylli derën, por as nuk na ftoi të hyjmë. Na la në korridor, duke pritur që më në fund të rregullojmë shtëpinë tonë. Në fund, viti 2025 nuk po mbyllet si i një krize të vetme të madhe, por i shumë krizave të vogla të grumbulluara, një vit i humbur jo nga mungesa e potencialit, por nga mungesa e vullnetit politik dhe guximit moral. Zgjedhjet u mbajtën, premtimet u dhanë, por tani ka mbetur vetëm prova më e vështirë, realizimi. Pyetja që mbetet për vitin që vjen nuk është çfarë do të na sjellë 2026-ta, por nëse ne, si shoqëri, do të guxojmë të kërkojmë vetëm ajo që u premtua. Sepse, në të kundërtën, edhe viti i ardhshëm rrezikon të jetë thjesht… një vit tjetër si 2025.