Sonte fillon Festivali i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, që do të kulmojë më 20 dhjetor, kur shpallet kënga fituese që do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
Interesi i publikut për ta ndjekur drejtpërdrejt këtë festival është mjaft i lartë. Tri netët e para transmetohen edhe në RTK4, ndërsa finalja e madhe në RTK1.
Festivali zhvillohet nga data 17 deri më 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve dhe premton emocione, surpriza dhe performanca spektakolare gjatë katër netëve të tij. Në natën e parë do të ngjiten në skenë 14 artistë, të cilët do të prezantohen jo vetëm përmes interpretimit të këngëve, por edhe përmes performancave skenike.
Prezantuese e Festivalit të 64-të do të jenë këngëtarja Arilena Ara dhe aktori i humorit Salsano Rrapi, të cilët do të drejtojnë spektaklin gjatë katër netëve ku do të garojnë gjithsej 28 këngëtarë me këngët e tyre.
Artistët pjesëmarrës në Festivalin e 64-të të Këngës: 2 Farm, Alis, Egzon Pireci, Endri Kaçaçi, Enxhi Nasufi, Erand Sojli, Erik Lloshi, Evi Reçi, Fifi & Tiri Gjoci, Frensi, Gerta Mahmutaj, Ghiti, Gresa Gjocera & Bledi Kaso, Inis Neziri, Kamela Islamaj, Kimi, Kleansa Susaj, Lorenc Hasrama, Luna Çausholli, Malvina Likaj, Rezarta Smaja, Rigersa Loka, Sara Kapo, Savjana Vjerdha, Sihana Haxhnikaj, Sheila, Threex dhe Vedat Ademi.



