Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi në emisionin “Debat në Shenja” ka thënë se gjatë qeverisjes së VLEN, vetëm për vitin 2025 janë bërë 2500 punësime dhe 800 avancime duke shtuar se kjo nuk lidhet vetëm me një konkurs të vetëm dhe me një institucion, por me komplet kabinetin qeveritar.
Ai me këtë rast ka sfiduar hapur opozitën shqiptare.
“Komplet për vitin kalendarik 2025 kemi bërë 2500 punësime dhe 800 avancime dhe kemi kërkuar nga oponenti jonë politik që për aq sa kemi bërë ne për një vit ata le ta marrin një mandat dhe le t’i bëjmë përllogaritjet dhe do t’ju tregojmë se nuk e kanë këtë arritje të cilën e kemi bërë ne”, ka thënë Durmishi.
I pyetur për shkurtimin e buxhetit për Agjencinë dhe Inspektoratin e Gjuhëve, ai deklaroi se çështjet që kanë të bëjnë me AZGJ-në janë çështje tepër të rëndësishme të cilët, sipas tij, “në pesë vitet e fundit kanë pasur problem, sepse nuk kanë pasur kornizë ligjore ku kanë mundur që të shqiptojnë dënime, por vetëm kanë shqiptuar vërejtje”.
Ai shtoi se është rregulluar edhe çështja e pagave dhe shumë shpejtë pas ndryshimit të vitit kalendarik do të fuqizohet Inspektorati duke vendosur inspektorë të rinj, duke mbushur administratën me përgjegjës të cilët do të jenë adekuat, ndërsa mbështetjen financiare do e ketë nga ministria e Drejtësisë.
VLEN, platformë e cila ka gjetur mbështetjen e shqiptarëve
Sa i përket shkrirjes së koalicionit VLEN në një subjekt të vetëm, Durmishi ka thënë se koalicioni VLEN funksionon si një mekanizëm i konsoliduar politik në të cilën janë të përfshirë katër subjekte politike dhe përfaqësuesi i VV-së, ka kryesi qendrore të përbashkët, qendër mediale të përbashkët, komision kadrovik të përbashkët dhe funksionojnë normalisht.
“Është një platformë e cila ka gjetur mbështetjen e shqiptarëve dhe VLEN-i normalisht që shkon drejt homogjenizimit të plotë, por cila do qoftë formulë dhe vendim që do të jetë i drejtë dhe efikas i cili do të sillet me konsensus me përkrahje të të gjithë liderëve dhe strukturës bazë do të mirëpritet nga shqiptarët”, tha Durmishi.
28 Nëntori në Tetovë është festuar qetë
Sa i përket festimit të 28 Nëntorit në Tetovë, ministri Besar Durmishit tha se në Tetovë është festuar në mënyrë të qetë, duke respektuar traditën simbolet shtetërore dhe se institucionet vendore i njohin obligimet ligjore të cilat i kanë.
“Për ne është e rëndësishme që ndjenjat kombëtare të shqiptarëve të shprehen me dinjitet dhe gjithçka të shkojë qetë dhe pa tension”, deklaroi Durmishi.



