Sot, vendi shënon 84 vjet nga fillimi i kryengritjes popullore që filloi në vitin 1941 në Prilep dhe Kumanovë. Kjo shënoi fillimin e kryengritjes kundër fashizmit dhe luftës për çlirimin e popullit maqedonas.
Këtë vit, festa do të shënohet me një akademi ceremoniale në Prilep dhe me ndarjen e çmimit me të njëjtin emër në Shkup.
Akademia ceremoniale nën moton “Në rrugën e drejtë, për një atdhe me të ardhme” do të mbahet në Qendrën Kulturore “Marko Cepenkov” dhe, sipas njoftimit nga shërbimi qeveritar për shtyp, në të do të mbajë fjalim kryeministri Hristijan Mickoski.
Në Shkup, në Kuvend do të ndahen çmimet e këtij viti “11 Tetori”. Çmimi për arritje jetësore në fushën e kulturës dhe artit do t’i ndahet aktores Teuta Ajdini Jegeni, dirigjentes së korit Prof. Letka Dimovska dhe producentit dhe promovuesit të artit maqedonas Ivo Jankoski. Në fushën e shkencës dhe arsimit, këtë vit çmimi do t’i ndahet Prof. Dr. Konstantin Dimitrov, inxhinier mekanik dhe akademikut Gligor Jovanovski, kimist.
Me rastin e festës, do të vendosen lule në Varrezat Partizane në Butel, si dhe para Eshtërores Përkujtimore në Kumanovë dhe monumenteve të Metodija Andonov – Çentos, Kuzman Josifovskit – Pitus dhe Tumës së të Pamposhturve në Prilep.
Dita e sotme, në përputhje me Ligjin për Festat, është shpallur ditë jo pune në vend.
Më 11 tetor 1941, Njësia e Parë Partizane e Prilepit sulmoi stacionin e policisë dhe rrjetin telefonik dhe telegrafik në Prilep, dhe të nesërmen, më 12 tetor, edhe partizanët nga Njësia e Kumanovës bënë të ditur praninë e tyre.
11 Tetori është vazhdim i traditave liridashëse të popullit maqedonas, të përshkuara nga Kryengritjet e Karposhit, Razlloves, Kresnës dhe Ilindenit, por edhe nga përpjekjet për çlirim shoqëror dhe kombëtar të investuara në Luftërat Ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore.



