Në Straçincë nuk do të ketë gurore dhe me këtë përfundimisht mbyllet saga rreth kësaj problematike, pas protestave të njëpasnjëshme të banorëve.
Kjo është arritur falë angazhimit të numrit një të Ekologjisë, Izet Mexhiti i cili ka sjell vendim për shfuqizimin e koncesionit për guroren në fshatin Straçincë, një shqetësim ndër vite e banorëve.
“Banorët me të drejtë kanë qenë të shqetësuar, sepse ka pasur një tentim në mënyrë joligjore që të fillon puna e gurthyesit, pa paralajmërim të popullatës dhe duke rrezikuar ato pasi nuk kanë lejen nga ministria. Jam në një vijë me banorët e Straçincës dhe herën e parë erdha për t’i dëgjuar, ndërsa sot e kam sjell vendimin negativ dhe nuk ka leje për fillimin e punës”, ka thënë sonte Mexhiti, vendim i cili u prit me duartrokitje nga banorët.
Ai tha se në qeveri ka filluar tani procedura për marrjen e koncesionit, pasi në bazë të ligjit nëse nuk punon 1 apo dy vite, ndërsa këtu nuk ka punuar 8 apo 10 vjet, është ky një argument i mjaftueshëm se duhet të prishet koncesioni i gurores dhe pajtohem plotësisht siç tha se përveç që rrezikon fshatin, “një nga arsyet është se është prerë mali e që ka qenë faktori i dytë gjatë vërshimeve në Hasanbeg”.
“Duhet t’i merret koncesioni gurores dhe ta mbjellim malin, jo për të dëmtuar qytetarët”, tha Mexhiti.
Ndryshe, vetëm 200 metra larg shtëpive, kompania planifikonte shpërthime mes dyshimeve për mungesë licence dhe informim të banorëve.



