Ministri amerikan i Financave, Skot Besent deklaroi se negociatat tregtare me Kinën përparojnë “shumë mirë”, pasi dy ekonomitë më të mëdha botërore e vazhduan hyrjen në fuqi të doganave për 90 ditë shtesë.
“Kina momentalisht është burimi më i madh i të ardhurave nga doganat”, tha Besent në intervistë për “Foks Njuz”, duke shtuar se negociatat me Pekinin pritet të vazhdojnë para nëntorit.
“Status-kuoja në këtë moment po funksionon mirë”, tha ai.
Javën e kaluar Uashingtoni dhe Pekini u dakorduan ta anulojnë vendosjen e doganave të reja treshifrore për 90 ditë. Armëpushimi fillimisht u dakordua në maj pas negociatave në Gjenevë, kur të dy palët u pajtuan t’i anulojnë rritjet e doganave për tre muaj. Në fund të muajit të kaluar, negociatorët e SHBA-së dhe Kinës u takuan në Suedi, pas çka delegacioni amerikan i rekomandoi presidentit Donald Tramp përsëri ta vazhdojë afatin për doganat e reja.
SHBA-ja gjithashtu i ka bërë thirrje Pekinit të ndalet me blerjen e naftës ruse për të ushtruar presion mbi Moskën për përfundim të luftës në Ukrainë. Megjithatë, Tramp ka thënë se nuk ka plane të vendosë tarifa hakmarrëse ndaj Kinës për shkak të bisedimeve të vazhdueshme paqesore me presidentin rus Vlladimir Putin. Të premten e kaluar, Tramp u takua me Putinin në Alaskë dhe tre ditë më vonë ai priti në Shtëpinë e Bardhë liderin ukrainas Vollodimir Zelenski dhe udhëheqës tjerë evropianë dhe të NATO-s. Tramp po përgatit një takim dypalësh midis Zelenskit dhe Putinit, si dhe një samit trepalësh midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së.



