Izraeli dhe Hamasi kanë kapërcyer pikat më të diskutueshme në negociatat për armëpushim dhe mund të pritet një marrëveshje për këmbimin e pengjeve dhe të burgosurve, publikuan sot mediat nga Lindja e Afërt.
Izraeli do të ofrojë lirimin e 125 pengjeve që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm, si dhe 1.100 të burgosurve të arrestuar pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, publikoi “Tajms of Izrael” duke cituar kanalin televiziv saudit Al-Hadat.
Pritet që propozimi të pranohet, thuhet.
Të hënën, 25 vende nënshkruan një deklaratë të përbashkët duke bërë thirrje për një përfundim të menjëhershëm të luftës në Rripin e Gazës dhe duke kritikuar modelin e ofrimit të ndihmës humanitare të qeverisë izraelite, duke e quajtur atë të rrezikshëm, destabilizues dhe poshtërues për popullin e Gazës.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë izraelite të Punëve të Jashtme, Oren Marmorshtajn, deklaroi se deklarata “nuk ka lidhje me realitetin” dhe se qeveria izraelite e hedh poshtë atë.
“Hamasi është e vetmja palë përgjegjëse për vazhdimin e luftës dhe vuajtjet e të dyja palëve. Në këto momente të ndjeshme në negociatat që po vazhdojnë, është më mirë të shmangen deklaratat e këtij lloji”, tha Marmorshtajn.



