Për shkak të valës së të nxehtit, temperaturat në disa rajone të vendit kanë kapur pragun e 40 gradë celsius, duke sjellë jo vetëm vështirësi për qytetarët në përballjen me ditët përvëluese, por edhe një rrezik të shtuar për sigurinë ushqimore. Në këto kushte, produktet e ndjeshme si mishi, bulmeti, peshku apo frutat e freskëta mund të shndërrohen në bartës të baktereve të rrezikshme, veçanërisht kur zinxhiri i ftohjes ndërpritet ose kur përgatitja dhe ruajtja nuk bëhen në kushte adekuate.
Rasti i fundit i regjistruar me listeriozë, një sëmundje infektive që vjen pikërisht nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me bakterin “listeria monocytogenes”, ka rikthyer vëmendjen mbi rrezikun që fshihet në tavolinat tona. Nga Instituti i Shëndetit Publik kanë njoftuar se tre persona të moshës 50, 65 dhe 78 vjeç janë prekur nga ky infeksion vetëm gjatë këtij viti, ndërsa më i moshuari prej tyre ka ndërruar jetë. “Ky numër prej tre personash të infektuar është i pritshëm. Një anketë epidemiologjike u krye midis tyre nga epidemiologët. Kjo është një sëmundje që ka një periudhë inkubacioni deri në 70 ditë, por shpesh periudha e inkubacionit zgjat tre javë, kështu që është më e vështirë të merren të dhëna në lidhje me ushqimin, ku është blerë, si është përgatitur para konsumimit dhe të ngjashme”, njoftojnë nga atje.
Sipas ISHP-së, më së shpeshti listerioza lidhet me produkte ushqimore të mishit, virshlle, “hot dog”, djathë të butë të papasterizuar, kremra, peshk të tymosur, perime të palara dhe ushqime të gatshme që ruhen gjatë. Instituti paralajmëron se infeksioni mund të transmetohet gjithashtu përmes frutave si shalqiri dhe pjepri, kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara, apo nëpërmjet mjediseve të kontaminuara. “Gratë shtatzëna mund ta transmetojnë infeksionin tek të porsalindurit e tyre nëpërmjet placentës ose gjatë lindjes. Ndërsa, parandalimi i referohet testimit të rregullt të ushqimit. Nëse është i sigurt, ka më pak mundësi për sëmundje,” thekson ISHP, duke rikujtuar se disponon laboratorë për testimin e mostrave të ushqimit.
Ndërkaq, autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë verës dhe theksojnë se frutat dhe perimet të lahen mirë, të mos konsumohen produkte të papërpunuara, të ruhen produktet në temperatura të përshtatshme dhe të ngrohen sërish para konsumimit. Si dhe rekomandohet vetëm qumësht dhe produkte qumështi të pasterizuara të përgatitura ekskluzivisht nga qumështi i pasterizuar.
Ndër të tjera, sa i përket simptomave, listerioza shpesh ngjan me një gjendje gripale, me të vjella, dhimbje muskujsh, temperaturë dhe lodhje, por mund të jetë fatale për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. Diagnoza vendoset përmes analizave të gjakut dhe lëngut cerebrospinal, ndërsa trajtimi bëhet me antibiotikë. Aktualisht, nuk ekziston vaksinë kundër kësaj sëmundjeje. (koha.mk)



