Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë shkëmbyer akuza të ashpra për aleancat politike, dështimet në qeverisje dhe qëndrimet ndaj industrisë së bixhozit, ndërsa vendi përgatitet për zgjedhje të reja, shkruan KDP.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, deklaroi se për partinë e tij do të ishte më e përshtatshme që zgjedhjet parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale. “Për partinë e integristëve më e kapshme do të ishte që bashkë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare,” tha Ahmeti për mediat.
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët (ASH), e udhëhequr nga Arben Taravari, përmes një deklarate ka akuzuar koalicionin opozitar VLEN për, siç thuhet, “propagandë të rreme” dhe “manipulim të opinionit publik”. ASH reagoi ndaj deklaratës së Izet Mexhitit për mbylljen e kazinove pranë shkollave, duke e quajtur atë “manipulim të pastër” dhe duke akuzuar Mexhitin për klientelizëm në emërimet në Lotarinë Shtetërore.
“Në vend se të luftojë realisht fenomenin e bixhozit, Mexhiti ka kthyer Lotarinë Shtetërore në një vegël klienteliste,” thuhet në reagimin e ASH-së, duke theksuar se emërimi i të afërmve të tij në bordet shtetërore tregon për “abuzim flagrant me institucionet publike për interesa politike dhe familjare.”
ASH kërkon hetim të plotë për Lotarinë Shtetërore dhe paralajmëron se “qytetarët nuk do të mashtrohen më nga liderë që përdorin fjalët për të fshehur interesat personale.” Sipas partisë, ajo u largua nga qeveria për shkak të mospërmbushjes së zotimeve ndaj qytetarëve, përfshirë premtimin për mbylljen e kazinove, si në Shqipëri dhe Kosovë.
Zv/kryeministri dhe anëtari i VLEN-it, Arben Fetai, iu drejtua me një apel aktivistëve të ASH-së që, sipas tij, janë “të mashtruar dhe të tradhtuar nga pengjet e Ali Ahmetit”. Ai akuzoi drejtuesit e ASH-së, Taravari dhe Sela, për bashkëpunim me BDI-në dhe për “parazitizëm politik”.
“Aliu është një plak i lodhur, një hije e së kaluarës antishqiptare,” tha Fetai. “Pengjet e tij janë të shitur dhe të diskredituar. Është koha të qëndroni krenarë dhe të refuzoni diktatin e tyre.”
Ndërkohë, kryetari i Alternativës dhe përfaqësues i koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, kritikoi paradën e krenarisë që pritet të mbahet në Shkup, duke thënë se koalicioni i tij do të mbrojë vlerat tradicionale shqiptare dhe familjen. Ai akuzoi partnerët e mëparshëm në qeveri, BDI-në dhe LSDM-në, për tentime për të ndryshuar kodin civil që lejonte ndërrimin e gjinisë me deklaratë noteriale.
“Për ne familja është e shenjtë. Nuk ka prind 1 dhe prind 2. Ka nënë dhe babë,” tha Ibrahimi, duke e quajtur BDI-në “çoraplarmët” që sipas tij kanë promovuar politika kundër vlerave tradicionale.



