Në Greqi pritet të hyjnë në fuqi masa të reja të ashpra për shkeljet në trafik, përfshirë gjoba deri në 8 mijë euro për ata që vozisin me mbi 200 kilometra në orë. Këto ndryshime janë pjesë e ligjit të ri për sigurinë rrugore, i cili, sipas ministrit alternativ të Transportit të Greqisë, Konstantinos Kyranakis, pritet të dorëzohet për shqyrtim në Komisionin parlamentar. Ndër masat kryesore është ndëshkimi i përdorimit të telefonit gjatë vozitjes, ku për shkeljen e parë është paraparë gjobë prej 350 eurosh dhe heqje e patentës për 30 ditë. Në rast se vozitësi kapet për herë të dytë duke përdorur telefonin, gjoba do të jetë 1.000 euro dhe ndalimi për të drejtuar automjetin do të zgjasë 6 muaj. Për shkeljen e tretë, gjoba arrin në 2.000 euro dhe heqje patente për një vit. Masa të ngjashme janë paraparë edhe për ata që nuk mbajnë helmetë gjatë ngasjes së motorit, si për drejtuesit, ashtu edhe për pasagjerët. Ndryshime ka edhe në kufizimet e shpejtësisë – në rrugët e ngushta brenda lagjeve kufiri i lejuar do të jetë 30 km/h, në rrugët kryesore të qytetit 50 km/h, ndërsa në autostrada kufiri do të rritet në 140 km/h. Ministri Kyranakis theksoi se shumica e aksidenteve fatale ndodhin në orët e vona gjatë fundjavave, dhe qëllimi i ligjit është të parandalohet sjellja antisociale në trafik.



