Presidenti i Francës Emmanuel Macron është optimist se Shqipëria brenda dy viteve të ardhshme do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Teksa mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Future Investment Initiative, të organizuar për herë të parë në Tiranë, ai tha se Shqipëria ka një udhëheqje të fortë që ka sjellë rezultate konkrete në reformat integruese.
“Jam vërtet xheloz që për herë të parë në Europë, ky forum zhvillohet këtu në Shqipëri. jam shumë i lumtur që jeni këtu, përtej shakave që bëj me kryeministrin Edi Rama sepse këtu në Shqipëri qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë, por është një pikë kyçe në Mesdhe dhe në Europë, ndaj ju inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni një udhëheqje të fortë dhe nuk flas vetëm sepse është miku im, por sepse ka sjellë rezultate dhe në 2 vitet që vijnë, duke qenë se ka një mandat të qartë, do të jetë pjesë e BE-së dhe dua që ta dini, të jeni të sigurt që ne si europianë do të japim rezultate tashmë që kemi një linjëzim të fortë midis Francës dhe Gjermanisë do të bëjmë maksimumin që të realizojmë agjendën që folëm”, tha Macron.
Vetë kryeministri Rama që po ashtu përshëndeti këtë forum të rëndësishëm ekonomik shprehu jo vetëm falenderimet për organizatorët që zgjodhën Tiranën, por foli dhe për përgjegjësitë e tij në raport me zhvillimin e të ardhmes.
“Jasir, faleminderit shumë që erdhe më së fundi bëmë një gjë përpara Francës që është një fillim i mirë. Më besoni, askush nuk do ta kishte imagjinuar atë çfarë po ndodh sot. Tanimë jemi dëshmitarë të rezultateve të ndryshimeve që po realizojmë dhe kjo është një gjë që ashtu siç na jep kënaqësi, edhe na tmerron sepse përgjegjësia është shumë më e madhe dhe kërkesa për të patur rezultate në nivele të larta po rritet dita-ditës. Isha shumë i lumtur kur mendova që ky forum do të vinte këtu edhe për një arsye tjetër. Ky është etaloni i përpjekjes për të menduar ndryshe. Jam plotësisht i përkushtuar ndaj gjithçkaje që do të dalë prej këtej dhe për gjithkënd që mund të ketë ndjesinë se duhet të kthehet në Shqipëri për të investuar, për të qëndruar”, tha Rama.
Edhe pse akuzohet shpesh nga opozita se me keqqeverisjen ka larguar shqiptarët jashtë vendit, Rama i kujton Macronit se shumë nga studentët e huaj të kolegjit të Europës në Tiranë që u hap vitin e shkuar edhe fal mbëhtetjes së tij, pasi njohin Shqipërinë duan të qëndrojnë.
“Por ajo çfarë ndodh është që kemi studentë nga e gjithë Europa dhe ata që vijnë si studentë nga Europa duan të vijnë të studiojnë dhe të punojnë në Tiranë. Nuk duan të shkojnë më në Francë Emmanuel. Dhe shpresoj fort që opozita nuk do t’ju fajësojë që në fakt, ju jeni shkaku që ata duan të rrinë në Tiranë, duke qenë se keni ardhur kaq shpesh në Tiranë”, theksoi Rama.
Kryeministri foli për rëndësinë që ka mikpritja për shqiptarët që u dëshmua dhe në organizimin e komunitetit politik të premten në Tiranë dhe u ndal dhe tek produkti që solli samiti.
“Kur e mbështeta idenë e KPE shumë njerëz menduan që ishte ajo “hileja” tipike franceze për të ofruar një djathë tjetër pa të dhënë atë djathin që kërkon, menduan se po dilja si një aset i rekrutuar nga francezet dhe që punoja në emër të Presidentit për të sabotuar zgjerimin. Ky në fakt ishte samiti i 6 e gjithçka ndryshoi. Mendoj se agresioni kundër Ukrainës ka bërë gjithkënd të kuptojë që ky format është mjaft dobiprurës për të gjithë sepse mbledh së bashku të gjithë Europën e madhe demokratike nga Turqia, Zvicra në Azerbajxhan, në Armeni dhe meqë ra fjala patëm shumë kënaqësi të shihnim që Azerbajxhani dhe Armenia janë vetëm një hap shumë të vogël larg finalizimit të një marrëveshje historike të paqes”, tha Rama.
Ajo ku Rama dhe Macron u duk se ndanin qëndrime të ndryshme lidhej me presidentin Donald Trump dhe shtysën që sipas kryeministrit shqiptar ai mund t’i jap jo vetëm ndërtimit të Amerikës madhsshtore, por dhe Europë të re.
“Vazhdoj të besoj me të gjithë fuqinë time se kur Donald Trump thotë se “Zoti e shpëtoi se ka një plan për Amerikën”, ai thotë në fakt vetëm gysmën e së vërtetës. Unë besoj se gjysma tjetër e së vërtetës është që Zoti e shpëtoi sepse ka një plan edhe për Europën. Dua ta ndaj me ju këtë bindje që kur dëgjova presidentin e SHBA të fliste për një epokë të artë që po afronte, ndjesia ime ishte që në fakt duke i uruar më të mirën sigurisht SHBA-së, që një epokë e artë mund të çelet edhe për Europën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës, sa do të veprojmë dhe do të kuptojmë që në këtë botë, ku çdokush tjetër po bën të pamendueshmen, Europa ka vazhduar të mendojë, njësoj siç mendonte përpara këtij momenti të shfaqur në jetën tone”, tha Rama.
“Jemi në momentin e së vërtetës, duke iu referuar asaj çfarë tha Edi për historinë e Trumpit që nuk është lajm i mirë vetëm për SHBA-në, por edhe për Europën. Europa mund të arrijë pavarësi. Na duhet të zgjedhim partneritetet tona dhe do të shohim varësitë tona. Me krizën në Ukrainë, u ekspozuan dhe kostot. Pyetja për ne është a do të bëhemi një fuqi globale e gjelbër e aftë për të mbrojtur veten? Kjo është pyetja që ngrihet për europianët. Përgjigja duhet të jetë po sigurisht, por kjo është një fazë e re e rrugëtimit europian. Pra, kjo është diçka e cila do të duhet të shmangte luftën e brendshme në Europë, gjithashtu dhe të orientonte tregjet për ta shndërruar Europën në një fuqi gjeo-politike, kjo është agjenda jonë”, tha Macron.
Në fund presidenti francez ju kujtoi investitorëve të pranishëm se rëndësinë që ata kanë për Europën e cila sipas tij është një kontinent i qëndrueshme dhe i besueshme, fuqitë e së cilës nuk duhet nënvlerësuar.



