BallinaLAJMEMaqedoniGaniu: Në Çair po mbjellim shpresë për një të ardhme më të...

Ganiu: Në Çair po mbjellim shpresë për një të ardhme më të pastër dhe të gjelbër

Në kuadër të projektit “BE për ajër të pastër”, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, mori pjesë sot në një aktivitet simbolik në shkollën fillore “Liria”, së bashku me përfaqësues të UNOPS. Ky projekt, i financuar nga Bashkimi Evropian, ka për synim përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet masave konkrete për mbrojtjen e mjedisit.

Gjatë këtij aktiviteti, në oborrin e shkollës “Liria” u mbollën 40 fidanë, duke e çuar në 80 numrin e përgjithshëm të pemëve të mbjella në kuadër të këtij projekti: 30 në parkun NATO dhe 10 në shkollën “Tefejuz”. Projekti përfshin gjithashtu investime në sisteme moderne të ngrohjes, transport të qëndrueshëm dhe krijimin e hapësirave të gjelbra urbane.

Kryetari Ganiu falënderoi drejtoreshën e shkollës “Liria”, znj. Teuta Idrizi, si dhe mësimdhënësit dhe nxënësit që kontribuan me entuziazëm në këtë nismë. “Bashkë po mbjellim më shumë se pemë – po mbjellim shpresë për një të ardhme më të gjelbër, më të pastër dhe më të shëndetshme për të gjithë”, theksoi ai.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit qytetar dhe përkushtimit të institucioneve lokale për të garantuar një ambient më të pastër për gjeneratat e ardhshme.

Lajme te lidhura

spot_img