Shkruan Memedali Jusufi
Mediat çdo herë kanë luajtur rol të rëndësishëm në shoqëri, nëpërmjet tyre janë favorizuar, penguar apo shkatërruar shumë çështje shoqërore. Ato kanë arritur të ndikojnë edhe në vlerat më të rëndësishme dhe më rezistente njerëzore. Media ndikoi të zbehet edhe autoriteti, përkatësisht nënshtrimi grupit në të cilin në krye do të jetë “bajraktari”, “kryeplaku” “kryefamiljari”, “mësuesi”, “bosi. Fuqia mediatike ka arritur të prekë edhe identitet individuale dhe kolektive të njeriut-thote studjuesi Rajmond Aron Masskultura ka përmbytur konceptin konvencional të identitetit personal, i parë ngushtë, nga korniza tradicionale, duke e lidhur atë kryesisht me vlera dhe ambiente autentike, burimore, lokale, qoftë gjeografike qoftë sociale. Konsumi i vlerave globale dhe hapësira globale e komunikimit, ndryshoi agjensët ndikues kryesorë në krijimin e opinioneve po edhe të identitetit personal dhe kolektiv. Media ndryshoi konceptimin e jetës. Imazhet e artistëve të serialeve që mbushin programet e televizioneve lokale dhe nacionale janë të njohura njësoj në gjithë kontinentet. Personazhet e këtyre serive që i shohim në TV, jetojnë jetën të cilën do të dëshironim ta bënim të gjithë– dhe për këtë nuk mundohen shumë.Fëmijët leximin e kanë zëvendësuar jo pak me konsumin e përmbajtjeve mediale. Komunikimi ndryshoi në formë dhe tematikë duke përfshirë gjithë moshat dhe kontinentet. Lidhjet emotive jo vetëm me të afërmit, të njohurit, miqtë, por edhe me natyrën, ambientin dhe prodhimet e tij, sa më shumë që u zhvilluan komunikimet digjitale, aq më shumë u zbehen dhe u rralluan komunikimit reale. Pikërisht studiues të traditës, ndër të cilët edhe Raymond .Aron, gjykojnë se një nga arsyet kryesore të “origjinës së diferencimit shoqëror është dezintegrimi i solidaritetit mekanik dhe i strukturave segmentare”. Në këtë mënyrë shpejtohet procesi i humbjes së këtyre lidhjeve.”. Është liria më e theksuar personale që stimulohet dhe frymëzohet nga mediet, pasi ato bëjnë që të ndryshojë edhe llogaridhënia, nga ajo morale në favor llogaridhënies ligjore, nga llogaridhënia kolektive, në llogaridhënien personale. Pra kemi të bëjmë me ikjen e autoritetit tradicional, duke pajtuar përgjegjësinë me detyrimin ndaj jetës publike. Identiteti personal është i joshur nga faktorë që e orientojnë konstruimin e tij kah virtualja, e cili është më shumë projekt dhe misiticizëm se sa formë dhe përmbajtje konkrete Po njëherësh, thyerja e hapësirave të kufizuara konvergjoi shumë ndikues në krijimin e gjykimit për këtë model personaliteti. Njeriu veprimet edhe më personale, më intime, i ndanë me një botë të etshme për të parë dhe dëgjuar të jashtëzakonshmen dhe të paimagjinueshmen, gjithsesi të panjohurën dhe të dëshiruarën. Ky njeri që ka shumë minipersonalitete, ndikohet nga komunikimet publike, sepse vetëm duke ndryshuar shumëfish rolet apo edhe mini-rolet, njeriu mbetet një lojtar që tërheq interesin e të tjerëve, ndërsa ata që e duan hapësirën publike, këtë lojë e menaxhojnë me përpikëri për të mbajtur në suaza të opinioneve apo bashkësive të përbashkëta edhe kulturore edhe sociale. Do referuar qasjes antropologjike të Erving Goffmanit rolet që luajnë njerëzit. Ai thoshte se njerëzit performojnë role në situata të ndryshme shoqërore, me sjelljet e tyre tërheqin vërejtjen dhe kureshtjen e të tjerëve, tregojnë ego-identitetin e tyre si proces interaktiv dhe dinamik, d.m.th se udhëtojnë duke kërkuar të gjejnë për veten e tyre dhe “të tjerët” atribute të reja që nuk i kanë pasur dhe as nuk i kanë. Shumë nga këta njerëz që i kërkojnë këto atribute të munguara as që do t’i gjejnë ndonjëherë, por e mira e tyre është se ata nuk ndalen së kërkuari dhe këmbëngulin duke pasur shije e kënaqësi për “vetëmashtrimin përjashtues”. Ata mjaftohen nëse mbërrijnë t’u pranohen përpjekjet dhe mundi i tyre nga autoriteti. Për ta mbështetur këtë gjykim do t’i referohemi edhe Sherry Turkle që kishte shënuar në kontekstin e konsumit të përmbajtjeve mediale se kur secili lojtar mund të krijojë shumë karaktere dhe të participojë në shumë lojëra, vetja nuk është vetëm e decentralizuar,por e shumëfishuar pa kufi.” Pra, është hapësira e pa kufi, dhe mundësia për të luajtur në këtë hapësirë me shumë karaktere, meshumë role, me shumë dimensione, të cilat janë përcaktuese të krijimit të marrëdhënies edhe në komunikimet interpersonale edhe ato grupore dhe së fundi, në komunikime mediale, globale. E rëndësishme është se këto marrëdhënie funksionojnë për të mbajtur ndikimin e rolit personal në kohë dhe hapësirë, dhe gjatë këtij procesi dinamik nuk është aq e rëndësishme nëse do të përkufizohen ato si konkrete apo virtuale.Mediet sociale janë agjensi më i shtrirë tani që i shërben edhe riformatizimit të identitetit personal, mbasi duke luajtur rolet në një fushë jo formale, të mjegullt, me mundësinë edhe të paraqitjes së vetvetes ashtu si dëshiron të jetë dhe jo ashtu siç është, individi fillon të ndryshojë nga brenda emocionalisht dhe po kështu gjykon se këtë ndryshim e përcjell edhe te bashkë komunikuesit, numër të madh të të cilëve as nuk i njeh dhe as nuk do t’i njoh ndonjëherë. Sociologu spanjoll Manuel Castellas në një kontekst më të gjerë, duke folur për rrjetet sociale potencon përkufizimin e identitetit primar, i parë ky si identiteti që i formëson edhe identitet tjera, dhe është edhe i vetëqëndrueshëm në kohë dhe hapësirë. Personalitetet e masskulturës6 pikërisht potencialin e tyre të pranuar si identitet kulturor global, e kanë të lidhur ngusht me pranimin nga të tjerët, si një identitet më shumë virtual se sa real, pra më qëndrueshmëri fluide në kohë dhe hapësirë. Kjo ndërlidhet edhe me masskulturën, e cila ka jo pak ka frymë virtuale. Në fund të fundit, njerëzit, gjithmonë kanë jetuar në shoqëri të cilat gjatë historisë së tyre, ishin multikulturore. Po nëse kërkojmë një përkufizim më preciz të multikulturalizmit, atë do gjetur në literaturën kanadeze, prej nga edhe ka burimin. Për herë të parë ky terme ndeshet pikërisht në këtë vend, i cili kishte më shumë kultura, madje edhe gjuhësore, si më të shprehura ajo angleze dhe franceze. “Multikulturalizmi”, do të thotë, ndër të tjera, bashkëjetesa brenda një shoqërie të njëjtë politike, të një numri mjaft të madh të grupeve kulturore, të cilat dëshirojnë dhe në parim, janë të në gjendje, të ruajnë identitetin e tyre të veçantë. Mashtrimi paraqitet kur një përdorues aktiv i facebook apo po edhe rrjeteve tjera sociale, nga komunikimi simbolik, mendon se është tashmë një njeri shumë i popullarizuar, i respektuar, me profil të veçantë që i hap rrugën për veprime reale. Gjykimi nga marrëdhënie virtuale ka të bëjë me aksione reale, që nuk përkojnë me forcën dhe profilin që e disponon një përdorues interneti. Një formë e këtij komunikimi të diskutueshëm janë edhe shkrimet që mund të mos jenë të autorit në adresën elektronike. Më së miri këtë e dëshmojnë kandidatët politikë për poste që duke aktivizuar dhe punësuar ekipe shkruesish të panjohur për komunikuesit, nënshkruhen me emër konkret të tyre, edhe pse nuk kanë të bëjnë me prodhimin e vet, sa do që adresohet kjo si komunikim personal. Krijimi i vetërespektitit nga këto paragjykime nuk është i barasnumëruar me gjykimin e “miqve” komunikues. Humbja e miqve konkretë dhe fitimi i miqve virtual e vulos procesin e të jetuarit të vetmisë fizike duke ndikuar edhe në identitetin personal. Shoqëri e vetmisë, apo shoqëri me vetminë, mund të përkufizohet nocioni i joshoqërimit, ndikuar nga përdorimi i gjatë i internetit, qoftë edhe nëse bëhet fjalë për komunikim interpersonal. Nuk ka ndonjë dilemë se çfarë dallon komunikimi fizik nga komunikimi teknologjik. Shmangia nga interaktiviteti fizik, social, e shton vetminë, mbasi pavarësisht se marrëdhënia komunikuese teknologjike duket plotësisht sociale ajo humb në plotëninë, sepse nuk dhuron gjithë vlerat dhe dinamikën psiko-sociale, të tillë që ofron komunikimi fizik, sy me sy, ballë për ballë. Ky komunikim vetëm sa e shton kohën e kaluar vetëm. Identiteti i përmirësuar, i retushuar dhe artificial, që krijohet në një hapësirë të tillë virtuale, është i rëndësishëm mbasi e bën të mundur lojën e roleve, në të cilën pranohet statusi të mos jemi ata që jemi, por të jemi ashtu si dëshirojnë të na shohin dhe si dëshirojmë t’i shohim ne ata. Është fjala për një konstruim virtual dëshirash, projekt për të qenë sa më të “pranuar nga të tjerët”. Duam të na shohin si “vetja jonë më e mirë.”. Siç është shënuar nga sociologë dhe antropologë, fotografitë, mesazhet, email-at e postimet e ndryshme, “na lejojnë të prezantojmë vetën ashtu siç duam të jemi.” Njeriu jeton në dy botë, nëse nuk ka identitet në botën reale, këtë mungesë, me gjasë do ta kompensojë me botën virtuale.Demokratizimi i dëshirave dhe emocioneve, me internetin merr përmasën e pakufishme. Arti dhe kultura e popullarizuar (jo popullore) lidhen me modernizmin dhe postmodenizmin. Në qendër të shumë ngjarjeve mediale filmike paraqitet “vajza e keqe”, pornografizimi i kulturës. A lidhet kjo me emancipimin e femrës; sa më shumë që emancipohet femra aq më shumë ajo pjesë e striptiz kulturës.Gjeografia po edhe përmbajtja e komunikimeve krijoi nocionin teknologjik, hapësirë shoqërore koherente, studiuar edhe nga Gustavo S. Mesch . Është pikërisht qëllimi dhe interesi i njëjtë, koherent, të shumtën që bashkon subjektet komunikuese. Temat e komunikimit dhe interesimet psiko-fizike dhe po kështu sociale e kulturore i bëjnë këto lidhje përkatësi të “përbashkët” po me synime divergjente. Anonimitetet impulsojnë konvertimet e personaliteteve, ky një mundësi eksperimentuese ndërmjet vetes dhe atyre që hyjnë në bashkësinë “miqësore”. Jeta virtuale kryesisht konstruohet për të qenë i i padukshëm në dukshmërinë e vetëprojektuar, një pamje konstrukt për të tjerët, për ata që nuk njohin të kaluarën tënde, dhe natyrisht marrëdhënia nis nga e sotmja, pa pasur edhe detyrimin që ajo të ndërtohet mbi fakte dhe realitete konkrete. Studiuesja Sherry Turkle duke rezimuar efektet e teknologjive komunikuese në këtë aspekt, veçmas në kontekst të internetit, ngrit dilemën po dhe shqetësimin, nëse do të mund njeriu të sundojë kahen nga e drejton rrugën kjo teknologji. Teknologjia po na drejton në vende, në të cilat ne nuk dëshirojmë të shkojmë. Edhe masskultura është pjesë e këtij sistemi të udhëtimit, dhe jo rrallë pikërisht kjo veprimtari, vërteton dilemën dhe shqetësimin e kësaj studiueseje. Edhe nisja e artistëve që duan të bëhen pjesë e sferës masive kulturore, nuk është e qartë, por rruga që ndjekin ata, po kështu i dërgon madje edhe atje ku nuk kanë pasur synim apo edhe nuk kanë ëndërruar të mbërrijnë. Një artist lokal apo nacional, deri në mesin e shek. XX e kishte vështirë të shihej nga të tjerët, në mënyrën që ai dëshironte. Ai duhej të bënte hapa konvencionalë, të ikte, fjala vjen në Holivud, për t’u provuar nëse ka ndonjë shans të bëhej pjesë e sistemit të madh filmik. Ai kërkohej të bënte veprime fizike, të dukej atje ku kishte shpresë se e kërkonin dhe e dëshironin që të ishte në kontaktin artistik me publikun. Kjo ndodhte edhe me një shkrimtar, një piktorë, apo një kompozitor a këngëtar. Teknologjia komunikuese, komunikimi medial e ka thyer këtë lëngesë konvencionale, dhe lëvizja e marrëdhëniet kryesore, tani realizohen përmes rrjeteve të internetit, duke e lehtësuar shumëfish, nisjen në një rrugë, që natyrisht, nuk është asnjëherë e sigurt se çfarë do të jetë.