Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale mori përgjigje pozitive nga Sekretariati i Bashkësisë Energjetike për Draft-Versionin e Metodologjisë për matjen e nivelit të varfërisë energjetike. Në komentin e tyre është konfirmuar se dokumenti është në përputhje me standardet evropiane dhe me detyrimet të cilat dalin nga Direktiva (BE) 2019/944, e cila i angazhon vendet që të vendosin dhe publikojnë kritere për konfirmimin e varfërisë energjetike.
Kjo nënkupton, siç bëri të ditur Ministria sot në mëngjes, se metodologjia është plotësisht e pranueshme për publikim, ndërsa njëherësh përfaqëson edhe dokument të parë të tillë të sistematizuar në vend i cili do të mundësojë matje dhe ndjekje reale të këtij fenomeni.
“Me këtë metodologji vendosen për herë të parë, kritere të qarta për identifikimin e familjeve të ndjeshme – të ardhura të ulëta, shpenzimet e larta energjie në buxhetin familjar dhe efikasitet të ulët energjetik të familjeve. Këta parametra do të jenë baza për programe të mëtejshme vjetore për mbrojtjen e konsumatorëve të ndjeshëm të energjisë. Metodologjia është e rëndësishme sepse do t’u mundësojë institucioneve të kenë një pamje të qartë të fushëveprimit dhe strukturës së varfërisë energjetike në vend, do të shërbejë si bazë për krijimin e politikave dhe masave të synuara për të mbrojtur familjet që përballen më shumë me vështirësi në sigurimin e energjisë dhe do të kontribuojë në harmonizimin me praktikat dhe standardet evropiane, si pjesë e agjendës më të gjerë për tranzicionin energjetik dhe qëndrueshmërinë sociale”, bën të ditur Ministria.
Informoi edhe se tashmë punon në hapat e ardhshëm – përgatitjen e programit vjetor për mbrojtje të konsumatorëve të ndjeshëm, ku metodologjia do të jetë mjet qendror për definimin e prioriteteve dhe intervenimeve.
“Me këtë metodologji për herë të parë në mënyrë sistematike do ta matim varfërinë sistematike në vend. Kjo do të na mundësojë qartë t’i identifikojmë amvisëritë të cilat janë më të goditura dhe të krijojmë masa të sakta, të synuara për mbrojtjen e tyre. Qëllimi ynë është askush të mos lihet në margjina. Ky është hap i fuqishëm përpara drejt një politike energjetike më të drejtë, më sociale dhe më të qëndrueshme. Me këtë, Maqedonia bën hap të rëndësishëm para në ndërtimin e politikës së drejtë energjetike e cila kujdeset për qytetarët dhe e vendos dimensionin social të tranzicionit energjetik në fokus”, thotë ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.