Në selinë e Organizatës Humanitare “El Hilal” në Shkup qëndruan për vizitë përfaqësuesit e Institutit për Krimet e Luftës, i cili vepron pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës. Delegacionin treanëtarësh, të kryesuar nga znj. Kimete Haxholli-Sylejmani, zëvendësdrejtore e Institutit, e priti kryetari i “El Hilalit”, Behixhudin Shehapi, së bashku me anëtarët e Kryesisë së ngushtë të organizatës.
Duke qenë se “El Hilali”, si organizatë humanitare, ka dhënë një kontribut historik në menaxhimin dhe tejkalimin e katastrofës humanitare të shkaktuar nga ekzodi kosovar i viteve 1998-1999, Instituti e përfshiu këtë organizatë në agjendën e tij. Pas kontakteve paraprake, kjo vizitë zyrtarizoi bashkëpunimin ndërinstitucional, i cili do të jetë në funksion të zbardhjes së tragjedisë së të dëbuarve dhe sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm për hulumtime të mëtejshme.

Me këtë rast, përfaqësuesve të Institutit iu dorëzua një material voluminoz nga arkivi i “El Hilalit”, si dhe nga degët e organizatës në Shkup, Gostivar, Strugë dhe Kumanovë. Për nevojat e Institutit u dorëzuan gjithsej 29 klasera, rreth 300 dosje me dokumentacion, mbi 100 dokumente të veçanta, fotodokumentacion, audio dhe video-incizime, shtatë libra të botuar mbi veprimtarinë e “El Hilalit”, si dhe një sasi e konsiderueshme materialesh propagandistike për sensibilizimin e opinionit mbi situatën humanitare gjatë tragjedisë në Kosovë.

Duke shprehur mirënjohjen për këtë gjest të “El Hilalit”, znj. Haxholli theksoi se ky bashkëpunim e institucionalizon dhe e afirmon edhe më tej mundin dhe angazhimin epokal të bamirësve, vullnetarëve dhe udhëheqësisë së “El Hilalit” gjatë këtij ekzodi, duke vlerësuar se veprimtaria e këtyre heronjve të humanitetit ka karakter historik.
Palët u dakorduan që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në forma të tjera, duke përfshirë edhe personalitete të njohura që kanë dhënë kontribut të pashoq gjatë luftës në Kosovë.



