Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti në emisionin “Agora” në Almak TV ka thënë se ka bërë mjaftueshëm për ta ndryshuar komunën që drejton.
Çairi, sipas tij sot është bërë qendër unversitare, qytet studenti, ndërsa Çarshia e Vjetër pjesa më atraktive e Shkupit.
“Kemi bërë mjaftueshëm për ta ndryshuar Çairin, sot Çairi është bë qendër universitare, qytet studenti, rreth e përqark saj ka 5 universitete, kemi ringjall Çarshinë e cila ishte e vdekur e që është Çarshia më e madhe në Ballkan me 700 dyqane, ajo sot është pjesa më atraktive e Shkupit dhe nëse duam me infrastrukturë nëntokësore, Çairi qëndron më mirë edhe se komunat urbane në Shkup me ujësjellës të ri, kanalizim dhe rrjet atmosferik mbi mesataren e Qytetit të Shkupit”, ka thënë Mexhiti.
“Nuk i kam bë unë kufijtë e Çairit”
Ai kujton se në çfarë kushtesh e ka trashëguar komunën e Çairit në mandatin e parë në vitin 2005 dhe shton:
“Nuk i kam bë unë kufijtë e Çairit. Komuna ka 3.4 kilometra katrorë, kazerma afër Çairit është një ndër më të mëdhatë në Maqedoni, ka 220 hektarë. E kuptoni se çka kemi trashëguar, cilën komunë kam marrë ta udhëheq, ka 18 mijë banorë në një kilometër katrorë. Kur jam bë kryetar komune nuk ka pasur as ndërtesë, kam funksionuar 1 vjet në barakat e komunës së Butelit me borxhe deri në fyt dhe me shumë pak përkrahje nga qeveritë e kaluara”, rikujton Mexhiti.



