Kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit nga radhët e AKI-së, Blerand Ramadani, në një tubim me banorët e Sarajit, theksoi rëndësinë e unitetit kombëtar në një kohë kur, sipas tij, shqiptarët po përballen me padrejtësi dhe shtypje.
“Nuk mund të na tregojnë neve, as pala maqedonase dhe as vëllezërit tanë që sot janë në rrugë të gabuar, se çfarë është çështja kombëtare. Ne nuk mund ta ulim çështjen kombëtare në nivelin e ujësjellësit, kanalizimit apo rrugëve me begatona. Çështja kombëtare është shkollim, është universitet, është gjuhë dhe është histori. Kur t’i zgjidhim këto dhe kur të arrijmë barazinë e plotë, atëherë nuk do të na mungojë as ura në Llok – sepse ajo do të jetë urë bashkimi mes shqiptarëve dhe maqedonasve”, deklaroi Ramadani.