Riti i Dollisë Shqiptare është shpallur sot Pasuri Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.
Ky akt vlerësimi bëhet për dollinë si një traditë e lashtë e mikpritjes shqiptare.
Mikpritja shqiptare është e veçantë dhe përmban elementë të shumtë zakonorë, një ndër të cilat është edhe tradita e lidhur me tryezën. Sofra e shtruar duhet të ketë me patjetër gotat me pije, që prodhohet nga i zoti i shtëpisë ose është një pije vendase e bërë nga fermentimi i frutave.
Dollia mund të quhet një rit unik, tradicional, i lashtë, po aq sa edhe modern në Shqipëri.
Thelbi i ngritjes së dollisë është ngritja në piedestal e miqve, të ftuarve apo vizitorëve në sofrat shqiptare.
Dollia është kulmi i mikpritjes, gëzimit dhe haresë, që synon lartësimin shpirtëror të të dy palëve, palës pritëse dhe miqve, në një event, gosti, dasmë, ceremonial, apo çdo festim tjetër./CNA