Ziadin Sela uron 28 Nëntorin: Le të jetë kjo festë një thirrje për unitet, vetëdije dhe veprim
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka përcjellë një mesazh urimi me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke vënë në pah rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date.
Në urimin e tij, Sela kujton me nderim vizionin e rilindasve shqiptarë, të cilët me përkushtim dhe guxim hodhën themelet e shtetformimit dhe të vetëdijes kombëtare, si dhe sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin e kombit.
Ai thekson se amaneti i të parëve nuk duhet të mbetet vetëm një kujtim i së kaluarës, por të shërbejë si detyrim i përditshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
“Flamuri kuqezi, i ngritur me aq mund e gjak në Krujë e në Vlorë, mbetet simboli ynë i bashkimit, i dinjitetit dhe i qëndresës”, shprehet Sela në mesazhin e tij.
Kryetari i Lidhjes Shqiptare nënvizon gjithashtu se ruajtja e gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit kombëtar është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa mbrojtja e të drejtave dhe puna e ndershme përbëjnë detyrime të vazhdueshme ndaj kombit.
Në përfundim të urimit, Sela bën thirrje që 28 Nëntori të shërbejë si një moment reflektimi dhe angazhimi për unitet, vetëdije dhe veprim konkret në shërbim të kombit.
“I pavdekshëm qoftë kujtimi i dëshmorëve dhe i rilindasve tanë! Gëzuar 28 Nëntorin!”, përfundon urimi i Ziadin Selës. .



