Anketa: VMRO-DPMNE e para, LSDM-ja shumë prapa; VLEN-i dhe BDI-ja në garë të ngushtë
Më shumë se një e treta e qytetarëve mendojnë se gjërat në Maqedoni po shkojnë në drejtimin e duhur. Kjo është tri pikë përqindjeje më shumë se në anketën e prillit të këtij viti. Hulumtimi i MKD.mk, i realizuar bashkë me agjencinë Market Vision, u zhvillua nga 20 qershori deri më 4 korrik. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE dhe lideri i saj, Hristijan Mickoski, vazhdojnë të jenë bindshëm në epërsi në renditjen e partive politike dhe liderëve të tyre.
Në pyetjen se në cilin drejtim po shkojnë gjërat në Maqedoni, 34,3% e të anketuarve u përgjigjën se vendi po lëviz në drejtimin e duhur, ndërsa 40,5% thanë se po shkon në drejtimin e gabuar. Grafiku tregon se në qershor, krahasuar me prillin, është rritur përqindja e atyre që mendojnë se drejtimi është i duhur.
Ndër liderët e partive politike, Hristijan Mickoski ka besimin më të madh të qytetarëve.
Në bllokun politik shqiptar, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, vazhdon të ketë përqindjen më të lartë të besimit, me 6%. Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së, renditet i treti me 4,7%. Kryetarët e partive të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë nga rreth 2%, ndërsa Afrim Gashi ka 1%. Liderët e ZNAM-it dhe Levicës, Maksim Dimitrievski dhe Dimitar Apasiev, janë në nivel të barabartë me nga 3%.
Edhe te partitë politike, VMRO-DPMNE ka epërsi të theksuar ndaj partive opozitare. Gjithsej 23,8% e të anketuarve thanë se në zgjedhjet e ardhshme do të votonin për këtë parti. Ndër partitë shqiptare në Maqedoni, BDI-ja opozitare ka një epërsi të vogël ndaj rezultatit të përgjithshëm të koalicionit qeveritar VLEN.
Më shumë se gjysma e të anketuarve që u shprehën se për cilën parti do të votonin në zgjedhjet e ardhshme, zgjodhën VMRO-DPMNE-në. Krahasuar me hulumtimet e mëparshme, para zgjedhjeve lokale, rritje kanë shënuar VMRO-DPMNE-ja, LSDM-ja dhe ZNAM-i, ndërsa Levica dhe BDI-ja kanë pësuar rënie të lehtë. Rënia e VLEN-it lidhet me largimin e Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga koalicioni.
Anketa u realizua nga 20 qershori deri më 4 korrik 2025, përmes metodës CATI — intervistim telefonik i asistuar nga kompjuteri — me 1.200 të anketuar. Mostra është përfaqësuese në nivel shtetëror sipas rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë rezidente të vitit 2021.





