Propozim ligji i LSDM-së opozitare, që paga minimale të rritet në 600 euro, pritet të vendoset në rend të ditës në fillim të muajit tetor. Kështu njoftoi kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. Ndërsa sa i përket se kush do ta përkrahë këtë ligj, Gashi tha se partitë kanë kohë të mjaftueshme deri atëherë që të dalin me qëndrim final.
“Ky propozim ligj është propozuar nga partia opozitare dhe do të vendoset në rendë të ditës menjëherë në fillim të muajit tetor, në seancën e parë të radhës, e cila do të thirret. Shpresoj që deri atëherë partitë do të ndërtojnë një qëndrim rreth asaj, se a do të pranohet ose cili do jetë qëndrimi i tyre. Do të duhet ta presim kohën që të bisedohet, ndoshta edhe për këtë do të nevojiten bisedime, se nëse është në interes të qytetarëve pse mos të përkrahet një ligj dhe nuk është me rëndësi se nga kush propozohet, por me rëndësi është që ai ligj të jetë në interes të qytetarëve”, tha Gashi.
Ndërkaq, Gashi shpalosi edhe mendimin e tij personal rreth pagës minimale. Ai tha se pagat duhet të jenë gjithmonë në një rritje të vazhdueshme.
“Sa i përket pagës minimale, në parim, personalisht jam i mendimit që pagat të jenë në një rritje të vazhdueshme. Mendoj që kjo e shëndoshë ekonominë, është për të mirën e ekonomisë në përgjithësi dhe prandaj apelojë që të gjendet një modus se si të ketë një qasje ndaj pagave d.m.th, a mundemi si shtet që të jemi në një rritje të vazhdueshme për shkak se inflacioni , standardi qytetar është në presion të vazhdueshëm, prandaj mendojë që na duhet që shteti të jetë i gatshëm për përgjigje të këtilla”, tha Gashi.
Duke i rritur pagat, Gashi tha se i ndihmojnë qytetarët të ballafaqohen me sfidat ekonomike që i kanë dhe u lehtësojnë jetën e tyre.
Kujtojmë, se kërkesa për rritjen e pagës në 600 euro nuk është e re. Edhe Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka kërkuar vazhdimisht për një rritje të tillë, madje ata organizuan më 1 maj të këtij viti edhe protestë dhe vazhduan edhe disa protesta tjera, por e njëjta hasi në vesh të shurdhur dhe paga minimale u rrit vetëm në 426 euro, e ajo sa kërkonte atëherë LSM e tash LSDM.



