BallinaLAJMEShqiptarët bashkohen në Kalabri, nga trashëgimia arbëreshe te mesazhi “Liri për çlirimtarët”

Shqiptarët bashkohen në Kalabri, nga trashëgimia arbëreshe te mesazhi “Liri për çlirimtarët”

Përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, diaspora dhe komunitetet arbëreshe në Itali janë bërë bashkë në Kalabri, në një aktivitet që ndërthur kulturën, trashëgiminë, identitetin dhe bashkëpunimin mes hapësirave shqiptare.

Në kuadër të Forumit të Përhershëm të Turizmit Rajonal, që zhvillohet më 18–20 shtator në komunat arbëreshe të Kalabrisë, Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon ka mbledhur rreth 60 përfaqësues nga hapësira të ndryshme shqiptare.

Përtej axhendës kulturore dhe turistike, takimi mori edhe një dimension solidariteti me Kosovën. Përfaqësuesit e komunave arbëreshe dhe delegatët nga trevat shqiptare përcollën mesazhin “Liri për çlirimtarët”, në një kohë kur në Kosovë vijon debati rreth zhvillimeve gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.

Në fokus të forumit është trashëgimia arbëreshe dhe potenciali i saj për të shërbyer si urë lidhëse në zhvillimin e turizmit, kulturës dhe bashkëpunimit ekonomik.

Gjuha, veshjet tradicionale, gastronomia, muzika, ritualet dhe zakonet e ruajtura ndër breza janë pjesë e aktiviteteve të zhvilluara gjatë forumit.

Takimi në Kalabri synon që trashëgimia e arbëreshëve të mos mbetet vetëm pjesë e kujtesës historike, por të shërbejë edhe si pikënisje për projekte të reja në fushën e turizmit, kulturës, rinisë dhe industrive kreative.

Në tokën arbëreshe, ku komunitetet shqiptare kanë ruajtur gjuhën dhe identitetin ndër shekuj, përfaqësuesit nga trevat shqiptare dhe diaspora kanë përcjellë kështu një mesazh të dyfishtë: ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët dhe solidaritetin me Kosovën.

 

 

© BalkanWeb

Lajme te lidhura

spot_img