BallinaLAJMEBOTATrump dëbon CNN dhe Politico nga Shtëpia e Bardhë

Trump dëbon CNN dhe Politico nga Shtëpia e Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se CNN, MS NOW dhe Politico nuk do të lejohen më të kenë akses në Shtëpinë e Bardhë, duke përshkallëzuar përplasjen e tij me mediat amerikane.

Trump e bëri njoftimin të premten përmes një postimi në rrjetin e tij social Trush Social, ku akuzoi tre organizatat mediatike se raportojnë vazhdimisht “lajme të rreme” për administratën e tij. Ai nuk specifikoi se cilat materiale apo raportime kishin çuar në këtë vendim.

“Media nuk duhet të jetë në gjendje të shkruajë apo raportojë vazhdimisht trillime dhe gënjeshtra kur mbulon presidentin, administratën Trump apo Shtetet e Bashkuara”, shkroi Trump, duke paralajmëruar se mund të ketë edhe media të tjera që do t’i bashkohen listës së ndaluar.
Më vonë, gjatë një aktiviteti në Zyrën Ovale, Trump tha se vendimi nuk lidhej me një ngjarje të vetme, por me atë që ai e përshkroi si një grumbullim raportimesh ndër vite.

Ai përmendi gjithashtu New York Times dhe Washington Post si media që i konsideron “lajme të rreme”, duke lënë të hapur mundësinë e masave të tjera.

CNN: “Sulm i paligjshëm ndaj lirisë së shtypit”
CNN e kundërshtoi menjëherë njoftimin, duke e cilësuar një ndalim të mundshëm si një “sulm të paligjshëm” ndaj lirisë së shtypit.

Rrjeti deklaroi se qëndron pas ekipit të tij në Shtëpinë e Bardhë dhe se gazetarët e tij kanë të drejtë kushtetuese të raportojnë pa pengesa apo ndërhyrje nga qeveria.

Edhe Politico deklaroi se do të vazhdojë të raportojë mbi administratën Trump dhe se do të mbrojë të drejtat e saj sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane.

MS NOW, i njohur më parë si MSNBC, nuk ka komentuar menjëherë mbi njoftimin.

Gazetarët ishin ende në Shtëpinë e Bardhë
Pas njoftimit të Trump, gazetarë të CNN dhe Politico vijuan të ishin në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Një ekip i CNN gjithashtu po udhëtonte me nënpresidentin JD Vance drejt dhe nga një aktivitet në Iowa.

Për momentin, mënyra konkrete se si do të zbatohet ndalimi mbetet e paqartë.

Vendimi pritet të përballet me sfida ligjore, pasi organizata për lirinë e shtypit dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese kanë ngritur pikëpyetje mbi përputhshmërinë e tij me Amendamentin e Parë.

Përplasje të vazhdueshme me mediat
Përplasja e fundit vjen pas një serie konfliktesh mes administratës Trump dhe mediave amerikane gjatë mandatit të dytë presidencial.

Më herët, administrata kishte kufizuar aksesin e gazetarëve të Associated Press në ambiente si Zyra Ovale dhe Air Force One, pas një mosmarrëveshjeje mbi përdorimin e emërtimit “Gjirit të Meksikës” dhe “Gjirit të Amerikës”. Çështja është ende në proces gjyqësor.

Sipas një precedenti gjyqësor të vitit 1977, pasi Shtëpia e Bardhë krijon ambiente dhe struktura të posaçme për gazetarët e akredituar, kufizimi i aksesit mbi bazën e përmbajtjes së raportimit mund të ngrejë çështje kushtetuese.

Organizatat e lirisë së shtypit kanë paralajmëruar se çdo përjashtim i mediave për shkak të pikëpamjeve ose raportimit të tyre mund të përballet me kundërshtime në gjykata.

Ndërkohë, Trump ka lënë të hapur mundësinë që lista e mediave të përjashtuara nga Shtëpia e Bardhë të zgjerohet.

Lajme te lidhura

spot_img