VMRO-DPMNE: Gjyqësori i politizuar është vënë në shërbim të individëve të fuqishëm dhe jo të ligjit
VMRO-DPMNE-ja akuzon se sistemi gjyqësor në vend është politizuar ndër vite dhe është vënë në shërbim të individëve të fuqishëm, në vend që të veprojë në përputhje me ligjin.
Nga partia në pushtet pretendojnë se sa herë që persona të afërt me LSDM-në dhe BDI-në përballen me drejtësinë, aktivizohen, siç i quajnë ata, “instalimet partiake” brenda sistemit gjyqësor.
“Gjyqtarë dhe prokurorë marrin vendime në favor të tyre, i kthejnë procedurat në rigjykim, i shfuqizojnë aktgjykimet dhe i mbyllin hetimet, vetëm për t’ua plotësuar kërkesat urdhërdhënësve të tyre”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas partisë, lidhjet familjare, miqësore, partiake dhe fqinjësore me LSDM-në dhe BDI-në kanë qenë parakusht për emërimin dhe avancimin e gjyqtarëve e prokurorëve në hierarkinë e sistemit të drejtësisë.
VMRO-DPMNE-ja përmend disa raste që, sipas saj, nuk kanë marrë epilogun e duhur gjyqësor. Mes tyre janë rasti “Mazut”, me vlerë prej 167 milionë eurosh, mbyllja e hetimit për furnizimin me spitalet modulare, ku sipas partisë i dyshuari kryesor duhej të ishte Venko Filipçe, si dhe shfuqizimi i aktgjykimit për aksidentin tragjik në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona.
“Në vend që individët të ndiqen penalisht dhe të gjykohen, ata mbrohen me të gjitha mjetet. Me veprime të tilla, individë të caktuar brenda gjyqësorit bëhen bashkëpunëtorë të krimit dhe korrupsionit”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE-ja.
Nga partia shtojnë se bëhet fjalë për një numër të vogël gjyqtarësh dhe prokurorësh të afërt me LSDM-në dhe BDI-në, vendimet e të cilëve, sipas tyre, e kanë dëmtuar sistemin gjyqësor dhe e kanë ulur besimin e qytetarëve në vetëm dy për qind.
“Ky sistem duhet të marrë fund, sepse qytetarët duan një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, i cili do të jetë në shërbim të ligjit”, përfundon komunikata e VMRO-DPMNE-së.



