Dënimin me 6 vite burg kërkoi Prokurori i Specializuar Joshua Hafetz ndërsa mbylli argumentet në Hagë në gjyqin kundër Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë.
Për Hajredin Kuçin, prokurori kërkoi 9 muaj burgim dhe nga tre vite burgim për tre të tjerët Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Bashkim Smakaj,
JOSHUA HAFETZ,Prokurori i çështjes “Thaçi” deklaroi “Bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve, prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar, për zotin Kuçi 9 muaj burg, për zotin Fazliu 3 vjet burg, për zotin Kilaj 3 vjet burg, për zotin Smakaj 3 vjet burgim dhe për zotin Thaçi 6 vjet burgim, të cilin do ta vuajë në vijim të ndonjë dënimi tjetër që mund t’i jepet në çështjen 6, nëse do t’i jepet”.
Prokurori pretendoi se krimet e tyre janë vërtetuar përtej dyshimeve, ndërsa më herët tha se janë 28 orë regjistrime audio në paraburgim që implikojnë Thaçin.
“Akuzat që Zyra e Prokurorit të Specializur ka ngritur dhe vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm janë krime për një arsye të qartë. Përpjekja për të ndërhyrë dhe për të penguar procesin gjyqësor përpara kësaj gjykate, këtu në Hagë, konkretisht për shkak të të kaluarës së gjatë të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve në Kosovë, paraqet një kërcënim për administrimin e drejtë dhe të lirë të drejtësisë dhe për integritetin e të gjitha proceseve këtu.”
Ndërkohë avokatja mbrojtëse e Thaçit, Sophie Menegon, kundërshtoi pretendimet e Hafetz, duke thënë se Prokurori po kërkon dënimin e tij sepse i duhet t’i mbulojë dhe arsyetojë masat e ndërmarra ndaj ish-presidentit për muaj të tërë”.
Avokatja theksoi se vendimi i trupit gjykues duhet të bazohet në prova, jo spekulime. Provat janë të dobëta, akuzat e tyre janë të dobëta, qoftë nga ana ligjore apo faktike, dhe këto e arsyetojnë lirimin e Thaçit nga të gjitha akuzat e ngritura”- nenvizoi avokatja Sophie Menegon.



