Numër rekord i të prekurve nga ethet e Nilit Perëndimor, rajoni i Shkupit më i godituri
Në Maqedoni, nga fillimi i këtij viti janë regjistruar 56 raste me ethet e Nilit Perëndimor, më shumë se numri i përgjithshëm i rasteve të evidentuara gjatë periudhës 2011–2025.
Sipas raportit më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, rajoni i Shkupit është më i prekuri, veçanërisht komunat Kisella Vodë dhe Gazi Babë.
Nga 56 rastet e regjistruara, 52 janë konfirmuar në laborator, ndërsa katër konsiderohen raste të mundshme. Gjithsej 54 pacientë janë banorë të Shkupit, kurse nga një rast është regjistruar në Veles dhe Kumanovë.
Sëmundja ka prekur kryesisht personat e moshuar. Nga të infektuarit, 44 janë burra dhe 12 gra. Gjithsej 45 pacientë janë mbi 60 vjeç, ndërsa mosha mesatare e të prekurve është 65,8 vjeç.
Numri më i madh i rasteve është regjistruar gjatë verës. Te 36 pacientë simptomat janë shfaqur në gusht, te 17 në korrik dhe në dy raste gjatë qershorit. Rasti i parë i këtij viti është evidentuar më 12 maj.
Nga numri i përgjithshëm, 54 pacientë kanë zhvilluar formën neuroinvazive të sëmundjes dhe të gjithë janë hospitalizuar. Gjashtë pacientë kanë humbur jetën si pasojë e sëmundjes. Të gjithë viktimat ishin burra, me moshë mesatare 73,2 vjeç.
Më 11 gusht, Qendra e Shëndetit Publik në Shkup shpalli epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në komunat Kisella Vodë, Gazi Babë, Aerodrom dhe Butel. Përqendrimi më i madh i rasteve është evidentuar në zonën e Draçevës dhe në vendbanimet rurale të Gazi Babës.
Instituti i Shëndetit Publik rekomandon largimin e ujit të ndenjur nga enët, vazot, fuçitë, kovat dhe gomat e vjetra, pastrimin e rregullt të ulluqeve, si dhe mirëmbajtjen e pishinave dhe sipërfaqeve të tjera ujore. Mbrojtja personale nga pickimet e mushkonjave mbetet masa më e rëndësishme parandaluese gjatë gjithë periudhës së aktivitetit të tyre.



