Për të dytën ditë me radhë, në Pallatin e Drejtësisë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve për sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq.
Seanca është caktuar të nisë në orën 13:30.
Gjatë paraqitjes së mëparshme në gjykatë, më 9 korrik, tre të pandehurit nuk e pranuan fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi ta dhe zgjodhën të mos e lexojnë aktakuzën.
Në atë seancë, prokurori special Bekim Kodraliu prezantoi qëndrimin e Prokurorisë, duke dorëzuar edhe materiale provuese, përfshirë pamje që, sipas organit të akuzës, mbështesin pretendimet e ngritura në aktakuzë.
Kodraliu deklaroi se Prokuroria është e bindur se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të dëshmohet përgjegjësia e të akuzuarve. Sipas tij, provat e mbledhura janë të mjaftueshme për të argumentuar se sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit përbënte një akt terrorist, i cili kishte për synim dëmtimin e një infrastrukture jetike të Kosovës dhe rrezikimin e sigurisë së Republikës.



