SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer një tjetër valë sulmesh gjatë natës, duke përshkallëzuar më tej tensionet në Gjirin Persik.
Sipas CENTCOM, sulmet kishin si synim dobësimin e aftësisë së Iranit për të goditur anijet tregtare dhe marinarët civilë që kalojnë në këtë korridor strategjik.
Vetëm pak orë pas sulmeve, Trump deklaroi nga bordi i Air Force One se zyrtarë iranianë e kishin kontaktuar dhe kishin shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, ai tha se nuk ishte i sigurt nëse ata ishin “të denjë” për një të tillë.
Në të njëjtën kohë, disa vende të Gjirit raportuan incidente të lidhura me konfliktin. Në Bahrein u dëgjuan shpërthime në kryeqytetin Manama, Kuvajti njoftoi se kishte interceptuar raketa dhe dronë, ndërsa Katari aktivizoi një alarm sigurie.
Nga ana tjetër, kryetari i Parlamentit të Iranit dhe kryenegociatori i vendit me SHBA-në, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se “Amerika ende nuk e ka mësuar se ngacmimi dhe shkelja e premtimeve nuk janë më pa kosto”, duke sinjalizuar se Teherani nuk do të tërhiqet nga kundërpërgjigjet.
Gjatë një paraqitjeje në samitin e NATO-s në Ankara, Trump u pyet për mundësinë e një armëpushimi dhe u përgjigj se, sipas tij, “ka mbaruar”. Ai përdori gjithashtu një gjuhë të ashpër ndaj udhëheqjes iraniane, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit reagoi duke deklaruar se vendi i tij “nuk i përgjigjet vulgaritetit me vulgaritet, por me veprim: pa frikë dhe me trimëri të madhe”.
BBC shkruan se përshkallëzimi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit ka shkaktuar një rritje të përkohshme të çmimit të naftës, megjithëse tregjet ndërkombëtare të energjisë po reagojnë me kujdes, pa sinjale paniku.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me më shumë se 5% të mërkurën, pasi Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme të reja ndaj Iranit në përgjigje të sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare. Megjithatë, më vonë gjatë ditës, tregu u stabilizua dhe Brent po tregtohej me një rritje prej rreth 1%, në 78.80 dollarë për fuçi.
Edhe pse ky është niveli më i lartë i dy javëve të fundit, ai mbetet pranë nivelit të regjistruar në fillim të konfliktit në fund të shkurtit dhe dukshëm më i ulët se kulmi prej afro 120 dollarësh për fuçi i arritur në prill.
Analistët vlerësojnë se investitorët po presin të kuptojnë nëse përshkallëzimi i fundit ushtarak do të ketë ndikim real në furnizimin global me energji. Vëmendja është përqendruar te Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, përmes së cilës transportohet rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që tregtohet globalisht.
Për sa kohë që qarkullimi në këtë rrugë strategjike mbetet i pandërprerë, tregjet duket se besojnë se furnizimi global me naftë nuk do të preket ndjeshëm. Megjithatë, çdo përshkallëzim që rrezikon trafikun në Ngushticën e Hormuzit mund të shkaktojë luhatje të forta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Top Channel



