Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka prezantuar masat dhe politikat që po ndërmerren për avancimin e sistemit të dhurimit të organeve në vend, gjatë një panel-diskutimi publik të mbajtur në Gostivar.
Aliu theksoi se dhurimi i organeve është një akt human që kërkon besim dhe ndërgjegjësim shoqëror, duke bërë thirrje që kjo temë të diskutohet hapur në familje, shkolla, universitete dhe institucione shëndetësore, e jo vetëm në momentet e vështira në spitale.
Ai bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë po zhvillon një fushatë kombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit, ndërsa paralelisht po punon në përfshirjen e mjekëve amë, institucioneve arsimore, shoqatave të pacientëve dhe bashkësive fetare në promovimin e dhurimit të organeve.
Sipas ministrit, në procedurë parlamentare ndodhen ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, të cilat synojnë të forcojnë sistemin dhe të garantojnë respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Në përfundim, Aliu deklaroi se ai vetë do të jetë personi i parë që do të regjistrohet si dhurues organesh sapo sistemi i ri të hyjë në funksion.



