Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski mbrëmë deklaroi se ka miratuar fushatë 40-ditore kundër Rusisë me qëllim që ta detyrojë Moskën ta përfundojë luftën.
“Miratova operacion 40-ditor që të kryejë presion mbi shtetin agresor që ta përfundojë luftën”, publikoi Zelenski në platformën Telegram.
Ukraina me muaj zbaton valë të sulmeve me rreze të mesme dhe të gjatë ndaj caqeve në Rusi ose zonave nën kontroll rus, kryesisht të drejtuara drejt industrisë së naftës.
Zelenski theksoi se vendimin e miratoi pasi shërbimet ukrainase të inteligjencës hasën në dokumente të besueshme, të cilat tregojnë se strategjia ukrainase e presionit jep rezultate.
“Kemi hasur në disa dokumente të brendshme ruse që ofrojnë pasqyrë të vërtetë të asaj që po ndodh, drejtpërdrejt me vetë pushtuesin. Udhëheqja ruse po ndjen vërtet një presion të madh për shkak të taktikave tona”, theksoi Zelenski.
Ai thotë se në sulmet ukrainase ishin goditur objekte ushtarake dhe energjetike në afërsi të Shën Petërsburgut, objekte të industrisë ushtarake në Voronezh dhe Çeboksari, si dhe objekte për gaz dhe naftë, duke përfshirë edhe caqe në rajonin Orenburg, 1.200 kilometra larg frontit.
Zelenski theksoi edhe se cak i sulmeve ishin qendrat e komunikimit të armatës ruse.



