Nga Safit Zeqiri
Viti shkollor përfundoi, kambana e fundit ra dhe mijëra nxënës u larguan nga bankat shkollore me shpresën se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë. Por, kur bëhet bilanci i kësaj periudhe, mbetet një pyetje e thjeshtë që kërkon përgjigje të prerë: çfarë u realizua nga premtimet e mëdha të dhëna për arsimin? Për fat të keq, përgjigjja është sa zhgënjyese, aq edhe alarmante. Edhe një vit tjetër kaloi pa reforma të prekshme, pa investime serioze dhe pa përmirësime substanciale që do ta afronin sistemin tonë arsimor me standardet evropiane. Mbetëm sërish në vendnumëro, duke ricikluar të njëjtat probleme e duke pritur rezultate të ndryshme nga një model që ka dështuar të prodhojë ndryshim.
Është absolutisht e papranueshme që edhe në vitin 2026, shumë nxënës në Republikën e Maqedonisë së Veriut vazhduan të përballen me mungesën absurde të librave shkollorë. Në shumë vatra edukative, procesi mësimor u zhvillua përmes fotokopjeve, materialeve të improvizuara ose me tekste të shpërndara me vonesa aq të mëdha sa që e humbën kuptimin e tyre. Arsimi i një vendi nuk mund të ndërtohet mbi improvizime të tilla banale. Libri është mjeti bazë i dijes dhe paaftësia për ta siguruar atë në kohë është treguesi më i pastër i një sistemi që dështon të përmbushë detyrimet më elementare dhe më kushtetuese ndaj fëmijëve tanë. Ky dështim buron nga një sistem i vjetruar që refuzon me ngulm ndryshimin. Programet mësimore vazhdojnë të jenë të mbingarkuara me teori të kota, metodat e mësimdhënies mbeten kryesisht tradicionale, ndërsa teknologjia dhe inovacioni ende nuk kanë depërtuar në mënyrë të barabartë në të gjitha shkollat. Në vend që të ndërtojmë një infrastrukturë arsimore që zhvillon mendimin kritik, kreativitetin dhe aftësitë praktike, nxënësit tanë vazhdojnë të detyrohen të mësojnë përmendësh, duke u përgatitur mekanikisht më shumë për teste sesa për sfidat e jetës reale. Reformat e bujshme të paralajmëruara mbetën sërish të ngujuara në konferenca për shtyp dhe dokumente strategjike që mbledhin pluhur sirtareve, ndërsa në terren ndryshimet janë thuajse të padukshme.
Gjendja bëhet edhe më e rëndë kur sheh objektet që presin prej vitesh një dorë investimi. Në shumë komuna, shkollat vazhdojnë të kenë çati të amortizuara, tualete të papërshtatshme, sisteme të dobëta ngrohjeje dhe mungesë totale të kabineteve moderne. Kemi institucione ku nxënësit detyrohen të mësojnë në kushte që nuk i përkasin aspak shekullit XXI, ndërsa investimet infrastrukturore mbeten sporadike, selektive dhe krejtësisht të pamjaftueshme, duke thelluar kështu edhe më tej hendekun e madh mes shkollave urbane dhe atyre rurale.
Në mes të këtij kaosi, mësuesit dhe profesorët mbeten heronjtë e heshtur që përballen me sfidat e përditshme pa asnjë mbështetje reale. Stafi arsimor vazhdon të vuajë mungesën e mjeteve didaktike, mungesën e trajnimeve cilësore dhe, mbi të gjitha, mungesën e një motivimi dinjitoz profesional e financiar. Ata shpesh lihen të vetëm përballë një sistemi që kërkon llogari dhe rezultate të larta, por nuk krijon as kushtet minimale për t’i arritur ato. Duhet ta kuptojmë mirë: pa investuar fillimisht te mësuesi, nuk mund të pretendojmë kurrë të ndërtojmë një arsim cilësor. E njëjta gjë vlen edhe për digjitalizimin, i cili mbeti thjesht një slogan elektoral. Edhe pse prej vitesh flitet për transformimin digjital, realiteti flet për shkolla pa internet funksional e pa pajisje bazë. Nxënësit tanë rriten në epokën e inteligjencës artificiale, ndërsa një pjesë e madhe e sistemit tonë ende funksionon me logjikën e tabelës së zezë dhe shkumësit.
Arsimi duhet të pushojë së qeni një fushëbetejë premtimesh dhe të kthehet urgjentisht në një prioritet kombëtar. Një shtet që nuk investon në arsim, thjesht investon me vetëdije në problemet dhe krizat e së ardhmes. Arsimi nuk duhet të trajtohet si një shpenzim apo barrë buxhetore, por si investimi më strategjik për zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe demokratik të vendit. Viti shkollor mbaroi, por problemet mbetën po aty, të paprekura. Premtimet u dëgjuan shumë, por rezultatet u panë pak. Fëmijët tanë meritojnë libra në kohë, shkolla moderne, programe bashkëkohore dhe kushte dinjitoze për të nxënë. Sepse, në fund të fundit, e ardhmja e një shteti nuk ndërtohet me deklarata sterile politike, por me investime reale në ato klasa ku sot formohen brezat që do ta udhëheqin këtë vend nesër.



