BallinaLAJMEMaqedoniMbi 14.500 kandidatë për dhënien e maturës, sot provimi ekstern zgjedhor –...

Mbi 14.500 kandidatë për dhënien e maturës, sot provimi ekstern zgjedhor – gjuhë e huaj, matematikë ose histori

Më shumë se 14.500 maturantë janë paraqitur për dhënien e maturës dhe sot do ta kenë provimin e parë ekstern, i cili është zgjedhor për kandidatët. Provimin e detyrueshëm ekstern, gjuhë amtare dhe letërsi, maturantët do ta japin më 11, përkatësisht më 12 qershor. Në përputhje me ndryshimet në Ligjin për arsimin e mesëm, këtë vit për herë të parë do të realizohen tri lloje të provimit të maturës, varësisht nga lloji i arsimit: maturë shtetërore, maturë shtetërore profesionale dhe maturë shtetërore artistike.

Kandidatët që do të japin maturë shtetërore sot do të testohen në gjuhë të huaj: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht ose italisht, ose në matematikë. Për kandidatët e maturës profesionale, zgjedhja është mes gjuhës angleze dhe matematikës, ndërsa kandidatët e maturës artistike do të japin provim në gjuhë angleze ose histori.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, e cila e organizon dhe e zbaton provimin e maturës, nga gjithsej 14.587 nxënës të paraqitur për maturë, 12.184 janë paraqitur për maturë shtetërore, 2.276 për maturë shtetërore profesionale, ndërsa 127 kandidatë janë paraqitur për maturë shtetërore artistike.

Për secilin provim, përkatësisht lëndë nga llojet e maturës, janë përgatitur programe të veçanta provimi, në bazë të të cilave janë hartuar pyetjet e testit. Nga Qendra Shtetërore e Provimeve theksojnë se këto programe bazohen në programet mësimore sipas të cilave nxënësit kanë ndjekur mësimin gjatë arsimit të tyre katërvjeçar.

Nxënësit e gjimnazeve japin vetëm maturë shtetërore dhe janë paraqitur 5.713 kandidatë. Maturë shtetërore mund të japin edhe nxënësit e shkollave profesionale dhe artistike, të cilët zgjedhin mes maturës shtetërore dhe maturës profesionale, përkatësisht artistike.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, nga 8.629 kandidatë për maturë nga shkollat e mesme profesionale, 6.353 janë paraqitur për maturë shtetërore, ndërsa 2.276 për maturë shtetërore profesionale. Nga 245 kandidatë nga shkollat artistike, 118 janë paraqitur për maturë shtetërore dhe 127 për maturë shtetërore artistike.

Sot në orën 9:00 fillon dhënia e provimit ekstern zgjedhor. Kandidatët që kanë zgjedhur maturën shtetërore do të japin test në gjuhë të huaj: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht ose italisht, ose në matematikë. Kandidatët që do të japin maturë shtetërore profesionale do të testohen në anglisht ose matematikë, ndërsa për maturën shtetërore artistike zgjedhja është mes gjuhës angleze dhe historisë.

Nga Qendra Shtetërore e Provimeve për MIA-n informuan se për testin e gjuhës angleze janë paraqitur gjithsej 13.208 kandidatë, prej të cilëve 11.017 janë nxënës të paraqitur për maturë shtetërore, 2.107 për maturë profesionale dhe 84 për maturë artistike.

Për testin e matematikës janë paraqitur 1.173 kandidatë: 1.017 kandidatë që japin maturë shtetërore dhe 156 për maturë shtetërore profesionale. Për histori janë paraqitur 38 kandidatë, nxënës që japin maturë shtetërore artistike.

Katër gjuhët e tjera të huaja janë opsion vetëm për nxënësit që japin maturë shtetërore. Për gjuhën frënge janë paraqitur 20 kandidatë, për gjermanisht 52, për rusisht 7 dhe për italisht 2 kandidatë.

Provimin e detyrueshëm ekstern, gjuhë amtare — maqedonisht, shqip, turqisht ose serbisht — dhe letërsi, e japin të gjithë nxënësit. Ata që janë paraqitur për maturë shtetërore do ta japin provimin më 11 qershor, nga ora 9:00, ndërsa kandidatët për maturë shtetërore profesionale dhe maturë shtetërore artistike do ta japin më 12 qershor, nga ora 9:00.

Gjuhë maqedonase dhe letërsi këtë vit do të japin gjithsej 9.810 nxënës: 7.809 prej tyre janë paraqitur për maturë shtetërore, 1.875 për maturë shtetërore profesionale dhe 126 për maturë shtetërore artistike.

Për gjuhë shqipe dhe letërsi janë paraqitur 4.199 kandidatë: 3.834 për maturë shtetërore, 364 për maturë profesionale dhe një kandidat për maturë shtetërore artistike.

Gjuhë turke dhe letërsi do të japin 360 nxënës të shkollave të mesme, prej të cilëve 359 janë kandidatë për maturë shtetërore dhe një për maturë profesionale. Për gjuhë serbe dhe letërsi janë paraqitur pesë kandidatë, të gjithë për maturë shtetërore.

Për realizimin e provimeve do të angazhohen rreth 2.500 testatorë dhe rreth 200 vëzhgues.

Në hapësirat ku do të mbahen provimet ndalohet përdorimi i telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike. Si edhe vitin e kaluar, për shkollat që nuk kanë kushte të përshtatshme hapësinore, provimet eksterne do të mbahen në amfiteatrot e fakulteteve.

“ këtë vit është rritur numri i shkollave që i janë drejtuar Qendrës Shtetërore të Provimeve për ndihmë në sigurimin e kushteve hapësinore në fakultete, ndërsa shkollat e tjera, të cilat kanë kushte të përshtatshme, do të organizojnë provimin në sallat sportive, hollet dhe aulat e tyre”, deklaroi për MIA Daniela Jovçevska-Mihajllovska, drejtoreshë e Qendrës Shtetërore të Provimeve.

Lajme te lidhura

spot_img