Çështjet dypalëshe nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. Ju keni përjetuar edhe probleme dypalëshe edhe bllokada, dhe shumë herë ndaj jush janë bërë me të vërtetë shumë padrejtësi. Kroacia me siguri do të japë kontributin e saj për mbështetjen e integrimit të Maqedonisë së Veriut, theksoi sot kryetarja e Komisionit për Çështje Evropiane të Parlamentit kroat, Jelena Millosh.
Pas fjalimit në Konferencën e 23-të të komisioneve parlamentare për çështje evropiane/integrime të vendeve të Procesit të stabilizimit dhe asociimit të Evropës Juglindore, që po mbahet në Strugë, ajo deklaroi se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë mbështetjen e Kroacisë.
“Sa i përket propzimit të Gjermanisë dhe Francës, mendosj se, para së gjithash, ju si vend që gjatë gjithë kësaj kohe po zbatoni reforma dhe jeni në rrugën e integrimit, duhet të vendosni se cila është rruga më e mirë për hyrjen në Bashkimin Evropian. Sigurisht është mirë që ka lëvizje, që ka integrim në tregun e përbashkët, kjo është padyshim një përparim. Por, dua të theksoj se ky nuk ëhtë qëllimi përfundimar. Qëllimi përfundimar është anëtarësimi i plotë dhe integrimi i plotë në Bashkimin Evropian, dhe në këtë rrugë Kroacia gjithmonë, absolutisht gjithmonë do t’ju mbështesë”, tha Millosh.
Sipas saj, nuk ka zëvendësim për përmbushjen e reformave që janë dakorduar për hyrje në Bashkimin Evropian, por, sipas saj, nevojitet një shpërblim për vendet që kanë pritur gjatë.
Deputetja kroate theksoi se për shkak të situatës gjeopolitke pret që të ndodhë zgjerimi i Bashkimit Evropian.
“E di se ekziston një lodhje e caktuar nga zgjerimi, veçanërisht kur flasim edhe për Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, unë mendoj se tani vërtet ekziston një dritare mundësie në kuadër të Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh situatën gjeopolitke, e cila do të lejojë që të ndodhë zgjerimi që prej kohësh është duke u pritur. Për ne, nëse flasim për Ukrainën dhe Moldavinë, të cilat i mbështesim plotësisht, atëherë duhet të flasim edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor që po zbatojnë të gjitha reformat e nevojshme, dhe edhe ato, të cilat po ashtu kanë pritur gjatë, të integrohen në Bashkimin Evropian. Sa u përket hapave konkretë, mendoj se kjo nuk mund të bëhet pa ju dhe se edhe ju këtu duhet të keni fjalën kryesore”, shtoi Millosh.



